Basketboll

Heroi i papritur i Lituanisë, Evropa njoftohet me Arnas Velickan

Arnas Velicka

Lituania e ka organizatorin e ri të lojës, të gatshëm për të performuar në të gjitha mënyrat e mundshme.

Pas lëndimit të rëndë të Rokas Jokubaitis në fazën grupore, Arnas Velicka mori përgjegjësitë e organizatorit të lojës. I realizoi 21 pikë, 12 asistime e pesë kërcime në ndeshjen e një të tetës së finales ndaj Letonisë, të shtunën.

Ai i është bashkuar Sarunas Jasikeviciusit dhe Mantas Kalnietisit si lojtarët e vetëm të Lituanisë që kanë bërë më shumë se dhjetë asistime në histori të ndeshjeve eliminatore në Eurobasket.

Duhet të jetë ndjenjë e veçantë të jesh në të njëjtin grup me këta lojarë.

“Jam shumë i lumtur që jam në këtë skenë”, ka thënë Velicka, ndonëse fytyra e tij nuk jep ndonjë shenjë gëzimi.

I qetë dhe i përmbajtur, Velicka nuk duket si lojtari që shkatërroi ëndrrat e vendit organizator të pjesës finale të Eurobasketit.

“Para verës ishte vetëm ëndërr që të isha në përfaqësuese. Më vjen mirë që kisha rastin të luaj dhe të performoj këtu”, ka shtuar Velicka.

Kur fundori 25-vjeçar ishte në fushën e lojës, Lituania kishte plus prej 15 pikëve. Në mungesë të tij, Lituania ishte gjashtë pikë prapa, për 4:29 minuta lojë.

“Gjithnjë e kam ditur se ai e ka atë që duhet. Ai është lojtar i mirë, është vrasës me fytyrë foshnje”, ka thënë Jonas Valanciunas duke qeshur.

“Arnas ishte i shkëlqyer. Kur Rokas ishte ende këtu, ai nuk kishte shumë minuta. Ndonëse është i qetë, ai ka shumë besim”, ka thënë basketbollisti tjetër i Lituanisë, Deividas Sirvydis.

“Trajneri i tha se duhet të marr përgjegjësi pasi nuk e kemi njërin prej fundorëve më të mirë. Kemi menduar se do të jetë vështirë, por ai u shfaq, tregoi se çfarë lojtari mund të jetë në nivelin më të lartë, përballë gjithë këtyre lojtarëve të mëdhenj”, ka thënë qendra Azuolas Tubelis.

Velicka thotë se e ka ditur që momenti i tij do të vijë.

“E di që lojtarët mund të mbesin jashtë për shkak të lëndimeve dhe dikush duhet të paraqitet”, ka thënë ai për lëndimin e Jokubaitisit.

“Është pozita ime kështu që duhet ta bëj më të mirën dhe të mundohem të ekzekutojë atë që trajneri kërkon nga unë. Duhet ta udhëheqi ekipin, të qetësoj lojën, të përfshij të gjithë në lojë. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Kam luajtur në këtë mënyrë në edicionin e kaluar, kështu që mendoj se isha gati për këtë”.

Velicka ka lëvizur shumë gjatë karrierës. Ka luajtur në Lituani, Spanjë, Estoni, Francë, Gjermani e Itali.

Kishte shkëlqyer në Evropianin U20 në vitin 2019. Dhe tani është shfaqur në skenën më të mëdha. Nuk është asgjë e re. Lituania vazhdimisht ofron basketbollistë të mëdhenj për Evropën.