Fiba.com – Të gjithë e dinë se çka mund të bëjë ylli i NBA-së, Giannis Antetokounmpo. Shumë kanë mësuar ta vlerësojnë vëllain e tij më të madh, Thanasis, dhe energjinë e tij të madhe.
Por ishte vëllai i vogël, Kostas Antetokounmpo, që doli nga hija e vëllait yll dhe u bë pjesë e fitores së Greqisë ndaj Lituanisë në çerekfinale të Eurobasketit.
Kostas luajti më së shumti në këtë Eurobasket, 16 minuta. Greqia fitoi 87:76 ndaj Lituanisë të martën, ndërsa Kostas Antetokounmpo mori lavdet e bashkëlojtarëve dhe trajnerit për kontributin me katër pikë e katër bllokada.
I kishte edhe tri kërcime e dy asistime.
“Kostas kishte një ndeshje të madhe. Energjia dhe koncentrimi i tij ishin në nivel shumë, shumë të lartë dhe ai vërtetë na ndihmoi shumë”, ka thënë trajneri Vasileios Spanoulis për 27-vjeçarin.
“Kostas ishte i shkëlqer. Ishte shumë i rëndësishëm për ne. Dikush mund të shikojë statistikat dhe të mendojë se ai i realizoi vetëm katër pikë. Edhe unë ndoshta nuk do ta bllokoja. Por mënyra se si u pozicionua në fushë, si detyroi lojtarët kundërshtarë të ndryshojnë gjuajtjet që mos të bllokoheshin prej tij dhe mbrojtja e tij në disa raste ndaj Jonas Valanciunas, yllit të Lituanisë, i dha shumë ekipit tonë”, ka thënë Kostas Papanikolau.
VIDEO:
“Këto gjëra të vogla kishin shumë vlerë dhe i dhanë ekipit besim. Janë gjëra që nuk maten dhe nuk paraqiten te statistikat”, ka shtuar Papanikolau.
Kostas Antetokounmpo ishte po ashtu përballë Valanciunasit, kur lojtari i madh i Lituanisë u shfaq shumë fizik dhe shkaktoi një faull të rëndë ndaj Giannis Antetokounmpos.
“Kostas është lojtar i shkëlqyer, shumë atletik. Ne e dimë si ta përdorim atë. Ai bëri gjëra të mëdha për ne sot. Jemi të lumtur për të dhe shpresojmë se ai do të vazhdojë të luajë kështu”, ka theksuar Dinos Mitoglou.
Greqia i ka të garantuara edhe dy ndeshje. Me një fitore e siguron podiumin e parë në 16 vjetët e fundit. Me dy fitore i jep fund pritjes 20-vjeçare për titullin e tretë të Evropës.
Është pak e besueshme se këto janë momentet e fundit të mëdha të Kostas Antetokounmpos.