Volkswageni do të paguajë mbi 227 milionë euro për më shumë se 90,000 shoferë në Angli dhe Uells për shkak të një pretendimi të Gjykatës së Lartë mbi instalimin e pajisjeve mashtruese të emetimeve të gazit në automjete.
Prodhuesi gjerman i veturave u kërkoi sërish falje klientëve dhe tha se po punon për të rindërtuar besimin, raportoi BBC-ja të mërkurën.
Skandali "dieselgate" shpërtheu në vitin 2015 dhe ka bërë që VW-ja të përballet me procese gjyqësore në disa vende.
Grupi tashmë ka paguar më shumë se 30 miliardë euro në mbarë botën, përfshirë gjobat, kompensimet, zgjidhjet civile dhe skemat e rikthimit.
Përdorimi i "pajisjeve të mposhtjes" nënkuptonte që veturat e Volkswagenit ishin të certifikuara konform standardeve të ndotjes së BE-së, kurse në realitet ato lëshonin deri në 40 herë më shumë sesa sasia e lejuar dioksidit të azotit.
Dioksidi i azotit është një ndotës, i cili është i lidhur me sëmundjet e frymëmarrjes dhe vdekjen e parakohshme.
Volkswageni pranoi se 11 milionë vetura në mbarë botën, përfshirë pothuajse 1.2 milionë në Britani, u prekën nga ky skandal.
Rreth 91,000 automobilistë në Angli dhe Uells, të përfaqësuar nga disa firma ligjore, morën masa kundër VW-së si dhe filialeve të saj Audi, Seat dhe Skoda.
Ndër të tjera ata pretenduan se ishin mashtruar nga VW-ja në lidhje me vlerësimet e qëndrueshmërisë së veturave të tyre dhe në shumë raste kjo ndikoi në vlerën e automjeteve të tyre.