Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Volkswagen: Furnizimi i pamjaftueshëm i çipave do të zgjasë deri më 2024

Volkswagen

Furnizimi me çipa gjysmëpërçues nga Volkswagen nuk mund ta plotësojë kërkesën deri në vitin 2024, ka njoftuar të shtunën shefi financiar i këtij prodhuesi të veturave, Arno Antlitz, në një intervistë për të përditshmen gjermane, Boersen-Zeitung.

Sipas tij, edhe pse pengesat mund të fillojnë të lehtësohen nga fundi i këtij viti, me prodhimin që do të kthehet në nivelet e 2019-ës gjatë vitit të ardhshëm, nuk mjafton të përmbushen kërkesat e rritura për çipa.

"Furnizimi i pamjaftueshëm strukturor mund të zgjidhet vetëm në vitin 2024”, ka thënë Antlitz, raportoi Reuters.

I pyetur se si fondet nga një ofertë fillestare publike e mundshme e Porsches, e planifikuar për në fund të vitit, mund të përdoren për të forcuar financat e Volkswagen, Antlitz tha se paratë mund të ndihmojnë në financimin e njësisë së softuerit të prodhuesit të veturave dhe planet e prodhimit të baterive.