Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Volkswagen pret që mungesa e çipave të lehtësohet në gjysmën e dytë të 2022-tës

Foto: Reuters

Prodhuesi gjerman i automjeteve Volkswagen, pret një goditje të vazhdueshme nga mungesa e gjysmëpërçuesve këtë vit, megjithëse duhet të jetë në gjendje të rris prodhimin në gjysmën e dytë të vitit, ka thënë të mërkurën drejtori ekzekutiv, Herbert Diess.

Diess gjatë një fjalimi tha se situata e furnizimit po përmirësohet, por se as këtë vit nuk do të mund të rrisin prodhimin.

“Situata e furnizimit po përmirësohet, por edhe në vitin 2022 nuk do të jemi në gjendje të ndërtojmë të gjitha makinat që mund të shesim. Por ne shih mundësi për rritje të mëtejshme të prodhimit, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit”, tha Diess, raporton Reuters.

Prodhuesit e automjeteve në mbarë botën janë goditur nga mungesa e gjysmëpërçuesve, e shkaktuar nga ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit për shkak të COVID-19, si dhe nga rritja e kërkesës për gjysmëpërçues në kompanitë elektronike të konsumit.

Volkswagen tha në fillim të shkurtit se turnet e natës në Wolfsburg do të ndërpriteshin në disa linja prodhimi për shkak të mungesës së çipave. Diess tha se rregullimet e kapacitetit do të nevojiteshin gjithashtu në afat të mesëm.