Prodhuesit kinezë të automjeteve po kapin pjesën e tregut në Rusi, duke kapitalizuar largimin e lojtarëve perëndimorë që dominonin tregun përpara pushtimit të Ukrainës, raportoi të hënën Reuters.
Siç tregojnë të dhënat e industrisë së automobilave, veturat e importuara kineze tashmë përbëjnë 49 për qind të tregut rus, duke arritur në 40 mijë njësi në qershor, krahasuar me një pjesë të paraluftës prej 7 për qind në qershor 2021.
Eksportet e veturave kineze në Rusi në janar-qershor 2023 janë rritur 6.4 herë nga viti në vit në pothuajse 4.6 miliardë dollarë, sipas statistikave të doganave kineze të publikuara të enjten e kaluar, duke përfshirë eksportet me vlerë më shumë se 1 miliard dollarë vetëm në qershor.
Përtej këtyre shifrave, firmat kineze po rrisin gjithashtu shitjet e tyre në Rusi me montimin e automjeteve në fabrika të lira nga Renaulti dhe Nissani.
Vladimir Bespalov, një ekspert i pavarur në sektorin e automobilave, tha se prania në rritje e prodhuesve kinezë të veturave është në dobi të Rusisë, duke i mundësuar asaj të rifillojë prodhimin në fabrikat boshe dhe të mbajë punëtorët të punësuar. Presidenti Vladimir Putin tha se në vitin 2020 industria punësonte rreth 300,000 njerëz.