Pronari i një veture Tesla në Kinë ndaloi në një “supercharger” për të karikuar baterinë e automjetit, por pasi e karikoi ai mbeti i tronditur kur pa se fatura për atë shërbim ishte 3.8 milionë juanë (mbi gjysmë milioni euro). Prodhuesi amerikan i veturave elektrike ka thënë se padyshim kjo është një gabim, shkruan Electrek.
Për vite me radhë, Tesla e ka falas shërbimin për klientët që vendosin ta ngarkojnë veturën në supercharger. Kjo ishte pjesë e paketës së përfshirë në çmimin e veturave të tyre.
Megjithatë, kjo ka ndryshuar në vitet e fundit kur kompania amerikane kaloi në modelin e pagesës së rimbushjes së baterisë për të përshpejtuar zbatimin e stacioneve të supercharger në mbarë botën.
Prodhuesi i veturave elektrike nga Kalifornia ka premtuar se sistemi i pagesave nuk do të ndikojë në përvojën e përsosur të përdorimit të supercharger. Më së shumti ishte kështu, por herë pas here vinin lajme për probleme të caktuara. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ishte i kësaj madhësie.
"Unë e çova modelin tim Tesla 3 në stacionin supercharger më 27 shkurt dhe pas një seance të shkurtër prej rreth 20 minutash, u njoftova për pagesën e një tarife tarifimi prej 3,846,306 juanë", ka thënë shoferi kinez.
Megjithatë, pas lajmërimit që i bëri Teslas, kompania reagoi duke përmirësuar problemin dhe duke kërkuar falje ndaj klientit të saj.