Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Tesla ul sërish çmimet

Tesla ka prezantuar modelin Y në SHBA me një çmim prej vetëm 43.990 dollarësh, ku distanca e një karikuesi është 420 kilometra. Me këtë lëvizje, Tesla gjunjëzon edhe konkurrencën me motorët konvencionalë me djegie të brendshme.

Tesla ka lansuar një version të ri të Modelit Y në SHBA që është 3.750 dollarë më i lirë se modeli i mëparshëm. Është interesante se oferta e re erdhi vetëm pak orë pasi ky prodhues i veturave elektrike raportoi “rënie” të numrit të veturave të shitura në tremujorin e tretë. Për shkak të kësaj, aksionet e Tesla gjithashtu pësuan rënie të lehtë në vlerë.

Me modelin e ri të nivelit fillestar që fillon nga 43.990 dollarë, plus një zbritje shtesë prej 500 dollarësh dhe 7.500 dollarë zbritje federale pas blerjes, kjo do të thotë se është e mundur të merret ky model për një çmim përfundimtar prej vetëm 35.990 dollarë. Kjo e bën Modelin Y tërheqës për blerësit që nuk i kanë marrë parasysh modelet elektrike sepse me atë çmim është dukshëm më i përballueshëm se shumë modele me motorë konvencionalë me djegie të brendshme.

Modeli Y i mëparshëm prej 47.740 dollarësh nuk është më i disponueshëm. Versionet me dy motorë me rreze më të gjatë dhe me performancë më të lartë të Model Y fillojnë nga 50.490 dollarë dhe 54.490 dollarë.

Tesla ka kohë që shet modelin Y këtë model në Kinë dhe Evropë.

Modeli Y më i lirë duhet të përmirësojë shitjet, por në të njëjtën kohë paralajmëron vazhdimin e presionit mbi çmimet e shitjeve dhe marzhet, të cilat prodhuesit evropianë e ndjenë fuqishëm në të gjitha tregjet e BE-së këtë verë.