Fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kontribuar që Tesla, kompania në pronësi të Elon Musku, ta kapërcejë vlerën e tregut prej 1 trilion dollarë të premten, raporton The Guardian.
Aksionet e prodhuesit të veturave elektrike u rritën me më shumë se 6 për qind – niveli më i lartë në dy vjet. Gjithashtu, Tesla kapërceu vlerën prej 1 trilion dollarë për herë të parë në më shumë se dy vjet.
Pas mbështetjes që i dha Trumpit, miliarderi Musk tani do të përpiqet të shtyjë rregullore më të favorshme për veturat vetë-vozitëse pas komplikimeve të sigurisë që i pati nga Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada në SHBA.
Musku është fokusuar në teknologjinë e automjeteve me auto-pilot, duke hequr dorë nga planet për të prodhuar veturë ekonomike me çmim nën 30 mijë dollarë. Megjithatë, zhvillimi dhe pengesat rregullatore kanë vonuar komercializimin e teknologjive të tilla.
“Tesla dhe shefi Elon Musk janë ndoshta fituesit më të mëdhenj nga rezultati i zgjedhjeve dhe ne besojmë se fitorja e Trumpit do të ndihmojë në përshpejtimin e miratimit rregullator të teknologjisë autonome”, ka thënë Garrett Nelson, analist i lartë në “CFRA Research”.
Aksionet e Teslas u rritën edhe në fund të tetorit pasi kompania raportoi rritje të fitimit tremujor. Kompania amerikane ka qenë prej vitesh më e vlefshmja në botë sa i përket veturave. Pas Teslas, vjen Toyota e Japonisë e BYD-i i Kinës.