Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Tesla do të rifillojë prodhimin në Shangai nga e hëna

Fabrika e Teslas në Shanghai, Prill 2022

Kompania e automjeteve, Tesla, po përgatitet të rifillojë të hënën prodhimin në fabrikën e saj në Shangai pas ndalimit tre-javor.

Pasi ka marrë miratimin nga autoritetet lokale, fabrika e Teslas në Shangai do të rinisë punën nga 18 prilli.

Kjo fabrikë e vendosur në zonën Pudong ka pezulluar prodhimin më 28 mars pasi qyteti nisi të zbatojë masat e bllokimit për të luftuar rritjen e rasteve me COVID-19.

Ndonëse ka leje për rifillimin e prodhimit, ende mund të ketë ndryshime varësisht nga mënyra se si zhvillohet situata epidemike në këtë zonë, raportoi Reuters.

Ndërprerja e fundit ishte më e gjata që kur fabrika filloi prodhimin në fund të vitit 2019 dhe ka çuar në një humbje prodhimi prej më shumë se 50,000 veturash, sipas llogaritjeve të bazuara në planet e prodhimit të brendshëm.

He Xiaopeng, shefi ekzekutiv i prodhuesit kinez të veturave elektrike Xpeng, ka thënë se prodhuesit e automjeteve në Kinë mund të pezullojnë prodhimin në maj nëse furnitorët në Shangai dhe zonat përreth nuk do të mund të rifillojnë punën.