Auto

Të plandosura nga virusi, panairet i frikësohen së ardhmes

A janë panairet e veturave ngjarjet e radhës që do të ndalen? Disa besojnë se epoka e auto-showit është vënë rrugës së cirqeve. Ngjarjet tanimë janë në telashe. Kjo ngase autoprodhuesve u kushton një pasuri e tërë shfaqja e veturave.

Disa brende (kryesisht evropiane) tashmë kanë hequr dorë nga panairet për të kaluar në prezantimet online përmes faqeve të caktuara. Gjenerata e të lindurve në mileniumin e ri, një treg ky i madh, ka dëshmuar se është e vështirësive, shkruan NYT.

Blerja e veturave në internet është në rritje. Por, nokauti, të paktën për shumicën e panaireve më 2020, ishte pandemia e koronavirusit. “Geneva International Motor Show” në mars ishte anuluar për shkak të virusit, siç ndodhi edhe me ngjarjen e Detroitit. Panairi i Detroitit ishte paraparë të niste në qershor, pasi ishte shtyrë për një kohë më të përshtatshme, pas dekadash kur mbahej në fund të dimrit, transmeton KOHA.

Organizatorët e Los Angelesit, gjithsesi, kanë thënë se panairi i tyre i nëntorit mund të mbahet. Këto konsiderohen kohëra të errëta, por producentët e panaireve kanë besim se mund ta ruajnë rëndësinë e tyre. Panairi ndërkombëtar i New Yorkut, një ngjarje 120-vjeçare që zakonisht ishte mbajtur në kohën e Pashkëve, këtë vit ishte shtyrë kah gushti dhe më pas ishte anuluar për edicionin e ri.

“Pavarësisht sfidës së re me të cilën përballet, mendoj se do të mbijetojnë”, ka thënë Mark Schienberg, drejtori i panairit të New Yorkut. “Ka një dëshmi se çka i sjellin ato industrisë. Ka ngritje e ulje në numrin e pjesëmarrësve për shkak të motit dhe orareve të shkollave, por pjesëmarrja është e vazhdueshme. Dhe mendoni se si qindramijëra njerëz paguajnë për të parë një produkt që dikush dëshiron ta blejë”, ka shtuar ai.

Prezantim online

Asnjë prej prodhuesve të veturave nuk ka pranuar të komentojë për planet rreth panaireve. Shumica e atyre që nuk pranojnë të marrin pjesë në panaire janë brende luksoze dhe sigurisht ekonomia këto ditë luan rol të madh.

Klientët presin shfaqje impresive, por modelet e klasit të lartë nuk shiten në numra të mëdhenj, ashtu që kthimi në investim bëhet më i vështirë për t’u arsyetuar. Disa po eksperimentojnë me strategji marketingu, si evente të ngasjes së automobilave në tregjet kyçe.

Të tjerët po përdorin fushata digjitale. “BMW Concept i4”, “Volkswagen ID.4” dhe “Hyundai Prophecy” si vetura elektrike janë detyruar të prezantohen në internet pasi panairi i Gjenevës u anulua.