Stellantis dhe Toyota kanë partneritet me fokus në veturat e lehta komerciale për tregjet evropiane. Dhe tashmë dy kompanitë paralajmërojnë zgjerim të këtij partneriteti, kur do të përfshihej një automjet i madh komercial - furgon. Ky do të jetë modeli i tretë që zhvillohet nga këto kompani.
Ajo që është më e rëndësishmja, do të jetë një version plotësisht elektrik, shkruan “Motor1” të martën.
Për momentin, nuk ka detaje mbi specifikimet teknike, megjithëse është konfirmuar zyrtarisht se do të zhvillohet nga Stellantis dhe do t’i dërgohet Toyotas për shitje në Evropë.
Modeli i ri do të prodhohet në dy lokacione të ndryshme të Stellantisit në Kontinentin e Vjetër, përkatësisht në fabrikat e Gliwice në Poloni dhe Atessa në Itali.
Pritet të dalë në treg në vitin 2024 dhe shihet si pasardhës i furgonit Ducato, por me emetim zero të gazit.
"Me këtë angazhim të tretë të suksesshëm, Stellantis vazhdon të demonstrojë ekspertizën e tij në segmentin e automjeteve komerciale dhe në zhvillimin e teknologjisë së baterive elektrike të krijuar për të mbështetur një sërë nevojash", u shpreh Carlos Tavares, CEO i Stellantis. "Kjo marrëveshje forcon lidershipin tonë për LCV dhe automjetet me emetim të ulët dhe na çon një hap më afër arritjes së qëllimit tonë për t'u bërë lider i padiskutueshëm global në automjetet e lehta komerciale për sa i përket teknologjisë, prodhimit, pjesës së tregut dhe rentabilitetit".