Prodhuesi i automjeteve, Renault, ka mbajtur të paprekura lidhjet me Rusinë, pavarësisht luftës në Ukrainë, si pasojë e kostos së lartë të tërheqjes nga një sipërmarrje me një partner lokal.
Ky prodhues francez dëshiron të shmangë shtetëzimin e prodhuesit të tij të automjeteve me shumicë, AvtoVAZ, i cili luan një rol kyç në kthesën e kompanisë, kanë thënë burime që nuk pranuan të japin informacionin publikisht, raporton Automotive.
Pozicioni i Renault mbështetet nga qeveria franceze, aksionari i saj më i madh, thanë ata, derisa shtohet se Renault vazhdon të monitorojë situatën.
Në ditët e kaluara, Renault është bërë i vetmi prodhues i madh global i automjeteve që nuk është tërhequr as nga tregtia me Rusinë dhe as nga prodhimi në fabrikat lokale.
Rivali Stellantis këtë javë pezulloi importin dhe eksportin e veturave nga vendi, pjesë e një tërheqjeje të gjerë duke përfshirë Volkswagen Group, Toyota Motor dhe Mercedes-Benz. Edhe partneri japonez i Renault, Nissan, ndaloi eksportet.
Rreziku i shpronësimit është bërë më urgjent këtë javë pasi Rusia iu afrua kapjes apo edhe shtetëzimit të kompanive me pronësi të huaj që po largohen nga tregu për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Mercedes, i cili operon një fabrikë afër Moskës që tani është në punë, tha të premten se kishte rreth 2 miliardë euro asete në Rusi që mund të jenë në rrezik.
Renault ka rreth 30 për qind të tregut rus të makinave dhe një staf prej rreth 40,000 personash në vend.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, qeveria franceze ka bërë pak deklarata publike për Renault.
Ministri i Financave, Bruno Le Maire, ka thënë se kompanitë private janë të lira të marrin vendimet e tyre nëse do të vazhdojnë të bëjnë biznes me Rusinë për sa kohë që ato “i përmbahen në mënyrë rigoroze sanksioneve”.