Prodhuesit perëndimorë të automjeteve nën shqetësime për një “pushtim” të veturave elektrike të lira kineze në Evropë, kanë kërkuar ulje të kostos së prodhimit për modelet e reja elektrike.
Një kërkesë e tillë është shtruar nga Renaulti i Francës, i cili të enjten ka thënë se synon ta ulë koston e prodhimit për këto modele për rreth 40 për qind.
Shefi i financave i këtij prodhuesi, Thierry Pieton, ka thënë se mënyra më e mirë për të shmangur konkurrencën e çmimeve është që kompania të ulë kostot e veta të zhvillimit dhe prodhimit.
Derisa ulja prej 40 për qind është synuar nga viti 2027 e tutje, shefi ekzekutiv Luca de Meo ka thënë se grupi do të fillojë të shohë kosto dukshëm më të ulëta të prodhimit nga gjysma e dytë e këtij viti, falë një rënie në kostot e lëndëve të para.
Në vitin 2022, prodhuesit kinezë të veturave kishin një pjesë prej 9 për qind të tregut evropian të automjeteve elektrike, gati dyfishi i shifrës së vitit të kaluar, sipas parashikimeve të konsulencës “Inovev”, ndërsa ritmi po vazhdon të rritet.
Ashtu si prodhuesit e tjerë të automjeteve elektrike, Renaulti gjithashtu përballet me presion të shtuar nga rivali amerikan Tesla, i cili ka ulur çmimet disa herë këtë vit.
Edhe
Prodhuesit evropianë të shqetësuar për dominimin e Kinës me veturat elektrike
Carlos Tavares, drejtor ekzekutiv i prodhuesit të veturave Peugeot-to-Fiat Stellantis paralajmëroi të mërkurën se konkurrenca me prodhuesit kinezë do të ishte "brutale".
Mercedes-Benz ka thënë të enjten se i qëndron strategjisë së tij dhe nuk do të përfshihej në një luftë çmimesh për të "blerë" pjesën e tregut në Kinë.