Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Kina shënon rritje të tregut të veturave në Evropë, kritikohet BE-ja

Bashkimit Evropian i është bërë thirrje që të ofrojë më tepër stimuj rregullatorë për prodhuesit e makinave, që të shtohet prodhimi i veturave tërësisht elektrike, thuhet në një studim të kryer nga grupi Transport & Environment, të publikuar të hënën në Reuters.

Në njoftim u tha se nëse nuk shtohet prodhimi në Evropë, fabrikat kineze mund të rrisin rivalitetin në prodhim, derisa u theksua se kompanitë evropiane kanë shënuar ulje të prodhimtarisë.

Në gjysmën e parë të 2022-s, veturat plotësisht elektrike përbënin 11 për qind të shitjeve, duke u vlerësuar si shifër e ulët, në raport me pritjet paraprake. Prodhuesit kinezë në anën tjetër, përfshirë kompanitë BYD dhe Great Wall Motor, po kërkojnë të fitojnë terren në BE dhe së fundmi kanë shënuar vlerësime të larta të sigurisë për veturat e tyre elektrike.

Raporti vlerësoi se 5 për qind e veturave elektrike që u prodhuan në Kinë, u shitën në territorin e Evropës. Deri në vitin 2025, Kina mund të marrë 18 për qind të tregut, gjersa BE-ja aktualisht po negocion një pako të propozimeve për efektet klimatike.

Nëpërmjet saj synohet që të ndalohet shitja e veturave të reja me lëndë djegëse nga 2035-a.