Auto

McLareni paralajmëron “bishën”, arrin 100 km/h për 2.8 sekonda

McLaren 750S Le Mans

Gara e famshme “Le Mans 24 Hour” po afrohet dhe, për të festuar 30-vjetorin e fitores së fundit (1995) në këtë garë, McLareni ka prezantuar version të ri special: 750S Le Mans.

Në vitin 2020, McLaren e shënoi përvjetorin e 25-të të kësaj fitoreje me prezantimin e 720S Le Mans, një tjetër model i kufizuar. Përveç përmirësimeve të performancës që solli modeli 750S i prezantuar në vitin 2023, versioni i ri vjen edhe me një paketë të re të quajtur “High Downforce Kit” nga divizioni McLaren Special Operations (MSO), që ofron performancë shtesë në pistë.

Modeli standard pati sukses të jashtëzakonshëm kur u lansua tri vite më parë, me listat e porosive të mbushura 18 muaj përpara. Prandaj, 750S Le Mans pritet të jetë edhe më i kërkuar, sidomos kur dihet se do të prodhohen vetëm 50 njësi – njëjtë sikurse me 720S Le Mans.

750S Le Mans vjen në ngjyrat ikonike të veturës fituese të Le Mans 1995, McLaren F1 GTR me numrin 59, me ngjyrë gri si standard – por është e mundur edhe ngjyra karakteristike portokalli e McLaren.

Sa i përket motorit, 750S Le Mans mbetet i pandryshuar – vjen me motor V8 4.0 litra twin-turbo, që prodhon 740 kuajfuqi, duke arritur nga 0 në 100 km/h për vetëm 2.8 sekonda. Fuqia transmetohet në rrotat e pasme përmes një transmisioni automatik 7-shpejtësi, i përmirësuar krahasuar me atë të 720S.

McLaren do të marrë pjesë në Le Mans të këtij viti në klasën LMGT3 me veturat 750S GT3 EVO, ndërsa në vitin 2027 planifikon të hyjë në klasën Hypercar, për të luftuar për titullin më të lartë të garës.

Data dhe çmimi i saktë ende nuk dihet. Por çmimi pritet të jetë mbi 300 mijë euro.