Auto

Flamur Ismajli më i shpejti në Drag Race 2

Flamur Ismajli me Audi S2 është fitues i garës së dytë Drag Race për këtë vit, e cila gjatë fundjavës u zhvillua në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë.

Ismajli pati kohë të shkëlqyeshme dhe distancën prej 402 metrave e kaloi për kohën 09.709 sekonda.

“Konkurrenca ishte shumë e fortë, Labinot Maliqi e ka pasur rekordin 09.03 dhe ishte e vështirë të thyhej ajo kohë. Unë nuk kam bërë investime të mëdha në veturë, por falë Zotit gjithçka shkoi mirë dhe natyrisht që jam i kënaqur. Të shtunën unë pata defekt në veturë, por gjatë natës, me ndihmën e shokëve ia dolëm ta sanojmë problemin dhe gjithçka funksionoi mirë. Shpresoj që në garën e radhës të kem rezultat edhe më të mirë”, ka thënë Ismajli pas fitores.

Podiumi i fituesve u plotësua edhe me Labinot Maliqin e Petrit Isufin, ndërsa për herë të parë në Drag Race pati edhe pjesëmarrëse femra.

Federata e Auto Sportit e Kosovës në bashkëpunim me Eurogom RT dhe institucionet tjera relevante e organizuan mjaft mirë garën.

Drag Race i tretë për vitin 2020 pritet të mbahet më 17 e 18 tetor.