Prodhuesi i automjeteve Ferrari ka filluar të pranojë pagesa në kriptomonedhë për veturat e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do ta shtrijë skemën në Evropë pas kërkesave të klientëve, ka thënë shefi i marketingut i kompanisë, raportoi të dielën Reuters.
Shumica dërrmuese e kompanive janë larguar nga kriptovalutat pasi paqëndrueshëmria e bitcoinit dhe valutave tjera i bën ato jopraktike për tregti. Edhe përdorimi i lartë i energjisë ka parandaluar përhapjen e kriptos si mjet pagese.
Ferrari tha se vendimi erdhi si përgjigje ndaj kërkesave nga tregu dhe tregtarët pasi shumë nga klientët e saj kanë investuar në kripto.
"Disa janë investitorë të rinj që kanë ndërtuar pasurinë e tyre rreth kriptomonedhave. Disa të tjerë janë investitorë më tradicionalë, të cilët duan të diversifikojnë portofolat e tyre”, ka thënë shefi i marketingut i Ferrarit, Enrico Galliera.
Kompania italiane, e cila shiti 13,200 vetura në vitin 2022, me çmime që fillojnë nga mbi 200,000 euro dhe shkojnë deri në 2 milionë euro, planifikon të zgjerojë skemën e kriptove në Evropë deri në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm dhe më pas në rajone të tjera ku kripto është e pranuar ligjërisht.
Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika është rajoni më i madh i Ferrarit, që përbën 46% të totalit të dërgesave të veturave të tij në gjysmën e parë të këtij viti.
"Interesi është i njëjtë në SHBA dhe Evropë, ne nuk shohim dallime të mëdha”, është shprehur Galliera.
Vendet ku kriptovalutat janë të kufizuara përfshijnë Kinën.
Shefi i marketingut të Ferrarit ka shtuar se shumica e tregtarëve në SHBA tashmë kanë nënshkruar ose janë gati të bien dakord për skemën.