Prodhuesi i veturave sportive luksoze, Ferrari, ka prezantuar veturën e tij të parë plotësisht elektrike, modelin e ri “Luce”, me një çmim fillestar prej rreth 640 mijë dollarësh.
Modeli i ri shënon një ndryshim të madh për prodhuesin italian të superveturave, pasi “Luce” është Ferrari i parë me pesë ulëse dhe me dizajn ndryshe nga modelet tradicionale të markës, raportoi BBC-ja.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVetura është prezantuar në bashkëpunim me LoveFrom, agjencinë e themeluar nga ish-shefi i dizajnit të Applet, Jony Ive.
Shefi ekzekutiv i Ferrarit, Benedetto Vigna, deklaroi në Romë se zhvillimi i modelit “Luce”, që në italisht do të thotë “dritë”, ka zgjatur pesë vjet.
Vetura elektrike përdor nga një motor elektrik të prodhuar nga Ferrari në secilën rrotë, duke i mundësuar përshpejtimin nga 0 në 96 kilometra në orë për rreth 2.5 sekonda.
Ferrari bëri të ditur se të gjithë komponentët janë prodhuar brenda kompanisë, me qëllim që automjeti të mund të riparohet nga vetë prodhuesi edhe pas shumë vitesh, duke ruajtur vlerën e rishitjes.
Lansimi i “Luce” ndodh në një kohë kur industria automobilistike po përballet me sfida në kalimin drejt veturave elektrike.
Prodhues të njohur si Lamborghini, Porsche, Ford dhe Volksëagen kanë ngadalësuar planet për automjete elektrike për shkak të kërkesës së ulët dhe konkurrencës së fortë nga markat kineze.
Prezantimi i modelit “Luce” nga Ferrari ka nxitur debat të madh në rrjetet sociale, me reagime të ndara mes kritikëve dhe adhuruesve të markës italiane.
Disa përdorues në platformën X kanë kritikuar ashpër dizajnin dhe drejtimin e ri të Ferrarit drejt veturave elektrike.
Një komentues shkroi se “Ferrari po e shkatërron markën e vet ashtu si Jaguar”, ndërsa të tjerë vunë në pikëpyetje ndryshimet që po bëjnë prodhuesit evropianë të veturave luksoze.
Megjithatë, pati edhe reagime pozitive. Disa e cilësuan modelin “Luce” si “kryevepër dizajni” dhe “ndryshim të madh për industrinë”.
Shefi i dizajnit të Ferrarit, Flavio Manzoni, në një intervistë për YouTuberen Cleo Abram, tha se kritikat janë pjesë normale e procesit të inovacionit.
Ai pranoi se ideja e një Ferrari plotësisht elektrik me dizajn të ri është “polarizuese”, por shtoi se beson që publiku do ta vlerësojë modelin në muajt e ardhshëm.
Ferrari ka bërë të ditur gjithashtu se, përveç modelit elektrik, do të vazhdojë prodhimin e veturave me benzinë dhe hibride.
Pavarësisht sfidave në treg, Ferrari mbetet prodhuesi më i vlefshëm i automjeteve në Evropë.
Megjithatë, aksionet e Ferrarit kanë rënë me më shumë se 25 për qind gjatë vitit të fundit, duke reflektuar rënien më të gjerë të tregut të luksit si pasojë e inflacionit global dhe uljes së kërkesës për produkte të shtrenjta.