Kina ka ndaluar dorezat e fshehura të dyerve në automjetet elektrike, duke u bërë vendi i parë që ndalon përdorimin e dizajnëve kontraverse që u bënë të njohura nga Tesla e multimiliarderit Elon Musk.
Kjo vjen ndërsa automjetet elektrike po përballen me shqyrtim nga mbikëqyrësit e sigurisë në të gjithë botën pas një numri incidentesh përfshirë dy aksidente fatale në Kinë që përfshinin automjete elektrike Xiaomi, në të cilat dyshohet se ndërprerjet e energjisë brenda veturës, kanë penguar hapjen e dyerve, shkruan BBC.
Sipas rregulloreve të reja, veturat do të lejohen të shiten vetëm nëse kanë një mundësi për hapjen e derës si nga pjesa e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme, sipas mediave shtetërore.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027.
Rregullat e Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit kërkojnë që pjesa e jashtme e çdo dere pasagjeri, përveç bagazhit, të ketë një hapësirë të thellë me përmasa jo më të vogla se 6 centimetra me 2.5 centimetra për të lejuar qasjen në dorezë.
Brenda veturës duhet të ketë tabela që tregojnë se si hapet dera.
Veturat që tashmë janë miratuar nga autoritetet dhe janë në fazat e fundit të hyrjes në tregun kinez, do të kenë edhe dy vjet kohë për të përditësuar modelet e tyre.