Në qytetin zviceran të Luganos, pagesat me bitcoin po bëhen pjesë e përditshmërisë. Rreth 350 dyqane, restorante dhe shërbime komunale tashmë pranojnë kriptomonedhën, falë një nisme të bashkisë dhe platformës Tether.
Në McDonald’s, blerësit mund të paguajnë me bitcoin përmes telefonit, një praktikë ende e rrallë në shumë vende.
Megjithatë, përdorimi i bitcoin mbetet i kufizuar. Shumica e blerjeve kryhen ende në franga zvicerane, ndërsa shumë sektorë – si transporti publik, karburantet apo pagesat e faturave – nuk pranojnë kripto.
Nisma “Plani B”, e krijuar nga bashkia për të promovuar edukimin dhe përdorimin e kriptomonedhave, synon ta kthejë Luganon në një qendër evropiane të bitcoinit, raportoi BBC.
Por jo të gjithë janë të bindur. Disa banorë shprehen skeptikë për rreziqet e kriptomonedhave, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për luhatshmërinë e tyre dhe rreziqet në rast falimentimi të platformave ku mbahen portofolët digjitalë.
Pavarësisht debatit, autoritetet lokale theksojnë se Lugano do të vazhdojë rrugën drejt ekonomisë digjitale.