Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Çmimet e veturave të reja dhe të përdorura vazhdojnë të rriten

Parashikimet në fundin e vitit të kaluar për rritjen e çmimeve të veturave të reja po realizohen. Çmimet vazhdojnë të rriten në të gjithë botën, por ekspertët kanë parashikuar rritje të reja në muajt në vijim. Rrjedhimisht, me rritjen e çmimeve të veturave të reja, çmimet rriten edhe për ato të përdorura, shkruan AutoExpress.

Mungesa globale e çipave e shkaktuar nga pandemia vazhdon të shkaktojë vështirësi në prodhimin e veturave. Nuk ka ende asnjë mënyrë për të përmbushur kërkesën në rritje të klientëve për vetura të reja të pajisura me teknologji gjithnjë e më të sofistikuar. Për shkak të mosprodhimit të mjaftueshëm në fabrika, po vijnë gjithnjë e më pak vetura të reja dhe trendi i mungesës do të vazhdojë edhe këtë vit.

Me mungesën e veturave të reja, kërkesa për vetura të përdorura po rritet e për pasojë dhe çmimet.

Vështirësitë për përmbushje të kërkesave të klientëve për vetura të reja ose vonesa në dorëzimin e tyre, shkaktojnë gjithashtu rritje të çmimeve.

Parashikohet rritje deri në 30% e çmimeve për veturat e reja për shkak të rritjes së inflacionit. Ky trend nuk përjashtohet as për ato të përdorura.