Blerja e veturave të reja me motorë nafte po bëhet gjithnjë e më e vështirë, pasi industria automobilistike ka nisur largimin e këtij lloji të karburantit që po konsiderohet “i ndotur”. Prodhuesit po heqin veturat me naftë nga ofertat e tyre, dhe disponueshmëria e veturave të reja me këtë lloj motori ka rënë në nivele rekord.
Analizat e tregut tregojnë se pothuajse gjysma e prodhuesve kryesorë kanë hequr plotësisht motorët me naftë nga linjat e tyre. Kjo reflektohet qartë edhe në statistikat e regjistrimeve. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, vetëm një nga 18 vetura të reja të shitura deri në fund të prillit 2025 ishte me naftë – rënie prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Një trend i ngjashëm po ndodh edhe në gjithë Bashkimin Evropian, shkruan Jutarnji.
Megjithatë, tregu i veturave të përdorura në Britani tregon realitet tjetër – veturat me naftë vazhdojnë të jenë shumë të kërkuara për shkak të kursimit dhe efikasitetit në distanca të gjata.
Shitësi më i madh i veturave të përdorura në Britani raporton se vlera mesatare e veturave me naftë është rritur me 1.6% gjatë 12 muajve të fundit – më shumë se çdo lloj tjetër motori.
Sipas një analize të “CarGurus”, oferta e veturave të reja me naftë ka rënë me 68% në më pak se një dekadë. Në vitin 2015, në tregun britanik ishin të disponueshme 202 modele të ndryshme me naftë, ndërsa sot janë vetëm 65.
Shumë marka të mëdha tashmë janë tërhequr plotësisht nga motori me naftë. Opel nga tetë modele në vitin 2015 sot nuk ofron asnjë. E njëjta gjë vlen për Toyota, Volvo, Hyundai, Fiat, Nissan, Honda dhe Mini. Ford ka reduktuar gamën nga 13 në vetëm dy modele me naftë, ndërsa Peugeot nga 11 ka mbetur me shumë pak. Kia dhe Renault, që dikur kishin shumë modele, sot ofrojnë vetëm nga një.
Vetëm 123,104 vetura të reja me naftë janë shitur në Britani në vitin 2024 – që përfaqëson vetëm një të dhjetën e shitjeve krahasuar me një dekadë më parë. Prandaj nuk është për t’u habitur që çmimet e veturave të përdorura me naftë janë në rritje, pasi është e vështirë të bindësh njerëzit të heqin dorë nga nafta kur njohin përfitimet e saj.