Qeveria britanike do të ofrojë zbritje me vlerë deri në 3,750 funte për blerësit e veturave elektrike me çmim 37,000 funte ose më të ulët, ka njoftuar ajo të hënën, sipas një skeme të re që synon të përshtatë më mirë kërkesën e konsumatorëve me objektivat e emetimeve zero neto.
Qeveria do të shpenzojë 650 milionë funte për skemën e zbritjeve, e cila do të jetë në dispozicion të konsumatorëve nga e mërkura, sapo prodhuesit e veturave të regjistrohen në skemë, raportoi të martën Reuters.
Britania planifikon të ndalojë gradualisht shitjet e veturave të reja me benzinë dhe naftë deri në vitin 2030. Mirëpo, kërkesa për vetura elektrike ka ngecur, me konsumatorët që përmendin kostot e larta fillestare si pengesë kryesore.
“Ky grant për automjete elektrike jo vetëm që do t’u lejojë njerëzve të mbajnë më shumë nga paratë e tyre të fituara me mund, por do ta ndihmojë sektorin tonë të automobilave të shfrytëzojë një nga mundësitë më të mëdha të shekullit të 21-të”, tha Sekretarja e Transportit, Heidi Alexander.
Një numër vendesh evropiane, përfshirë Norvegjinë - e cila ka përqindjen më të lartë të veturave elektrike në Evropë - si dhe Franca dhe Gjermania, ofrojnë stimuj për blerësit e automjeteve elektrike, duke përfshirë subvencione dhe përjashtime nga taksat.