Auto

Shitjet e veturave në SHBA shënojnë rritje të madhe

Shitjet e veturave të reja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rriten, pasi konsumatorët shpenzuan më shumë para gjatë shtatorit, sesa çdo shtator tjetër, raportoi Reuters të mërkurën.

Klientët, sipas raportit të konsulentëve JD Power-LMC Automative, kanë mbetur të pandikuar nga çmimet e larta të veturave dhe mungesa e zbritjeve nga kompanitë që shesin vetura.

“Çmimet e transaksioneve u rritën ende më shumë dhe konsumatorët shpenzuan më tepër para për automjete këtë muaj”, deklaroi Thomas King, konsulent për shitblerje të veturave.

Ai shtoi se moti nuk është parë një shitje kaq e madhe e veturave, në një periudhë inflacioni.

Shitjet me pakicë të veturave këtë muaj pritet të arrijnë në 958.948 njësi, një rritje prej 5.4 për qind nga shtatori i 2021-s. Norma vjetore për shitje të automjeteve të reja pritet të shkojë në 13.6 milionë njësi, 1.5 milionë më shumë sesa vitin e kaluar.