Auto

Audi ndryshon emrat e modeleve të famshme

Gjiganti gjerman i automobilave, Audi, ka konfirmuar strategjinë e re të emërtimeve të modeleve. Duke folur për revistën gjermane “AutoBild”, shefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Markus Duesmann, ka njoftuar se gjenerata e re “A4” do të shitet si “A5”, ndërsa modeli i ardhshëm “A6” do të marrë emrin “A7”.

Me këtë ndryshim, modelet me numra tek do të shërbejnë për veturat me djegie të brendshme, ndërsa ata me numra çift do të shërbejnë për modelet elektrike.

Njeriu që udhëheq brendin luksoz ka thënë se modeli “A4” do të shërbejë vetëm si veturë elektrike. Ai ka refuzuar të japë detaje se çka do të ndodhë me modelet aktuale “A5” dhe “A7”, duke thënë shkurt se informatat do të bëhen të ditura në të ardhmen.

“Duhet të shohim përpara drejt shumë prodhimeve emocionuese e me performanca të larta”, ka thënë ai.

Duesmann ka thënë se emri “e-tron” nuk do të hiqet nga modelet elektrike.

Pasuesi i modelit “A4” pritet të debutojë më vonë gjatë këtij viti. “A6” do të ketë versionin e ri së shpejti, dhe me gjasë më 2024 apo 2025 do të marrë emrin e ri, tashmë të konfirmuar.

Në dy vjetët e ardhshëm, Audi pritet të prezantojë jo më pak se 20 vetura të reja. Më shumë se gjysma e tyre do të heqin dorë nga motorët me djegie.