Gjiganti i veturave, Audi, në kuadër të strategjisë së re të emrave, do t’i japë fund sistemit në të cilin numrat në emra të modeleve shkaktonin habi.
Fillimisht kjo strategji qe prezantuar më 2017. Tani ajo do të largohet që nga modeli i ardhshëm Q6 e-tron SUV. Ndryshimi nisi pa shumë zhurmë me lansimin e modelit Q8 e-tron.
Florian Hauser, shef i shitjeve dhe marketingut për veturat elektrike në Audi, ka shpjeguar për “Auto-Express” se fokusi është që brendi t’i lehtësojë gjërat për klientët.
“Kur flasim për thjeshtësinë, nuk duam të flasim vetëm për opsionet dhe procesin e konfigurimit. Por po mendojmë që të bëjmë programin më të thjeshtë të motorëve, që t’u përshtatet kërkesave të klientëve tanë”, ka thënë ai.
Tani Audi do të ofrojë më pak opsione për zgjedhje të fuqisë së modeleve. Për këtë edhe do ta ndryshojë strukturën e emrave.
Edhe
Audi prezanton superveturën e re
“Nëse do të jetë model-performancë me sistemin që tërheqë me katër rrotat do të quhet ‘SQ6’”, ka thënë Hauser. “Kur flasim për sistemin që tërheq me rrotat e pasme do të jetë thjeshtë Q6. Për modelet me bateri më të vogla a të mëdha mund të shtojmë fjalë prapa numrit 6 – për shembull ‘Performance’. Nuk na duhen numrat, andaj s’do t’i shfaqim më”.
Struktura e emrave të deritashëm tek Audi ka habitur shumë adhuruesit e veturave. Për shembull me numrin ‘30’ përfaqësoheshin veturat që kishin mes 110 deri 130 kuajfuqi e numrin ‘45’ e kishin modelet me 225 deri 250 kuajfuqi.