Ish-prezantuesi i emisionit të famshëm televiziv për automobilizëm, “Top Gear”, Richard Hammond, është dërguar me aeroplan në spital në Zvicër pas një aksidenti dramatik derisa po xhironte për emisionin e tij të ri, por sipas një zëdhënësi, mësohet se lëndimet nuk janë serioze.
Hammond, 47-vjeç, ishte duke ngarë një veturë elektrike gjatë xhirimeve për emisionin “The Grand Tour” kur ndodhi aksidenti, ka thënë një zëdhënës i emisionit, raporton Reuters.

“Richard ishte me vetëdije dhe fliste, dhe doli vetë nga vetura para se ajo të merrte flakë”, ka thënë zëdhënësi i emisionit përmes një deklarate për media, transmeton Koha.net.
“Ai u dërgua në spital me mjet fluturues në St Gallen për t’u kontrolluar, ku është mësuar se ka thyer gjurin. Shkaktari i aksidentit ende është i paqartë dhe është duke u hetuar”, thuhet më tej në deklaratë.
Kujtojmë se Hammond ishte përfshirë në një aksident edhe më të rëndë rreth një dekadë më parë derisa po xhironte për emisionin e tij të vjetër, “Top Gear”.

Ai kishte pësuar lëndime në tru dhe kishte qëndruar në spital për pesë javë pasi veturës të cilën po e testonte, “Vampire”, iu shqye goma dhe përfundoi jashtë shtegut derisa po zhvillonte shpejtësi prej 463 km/h në pistën Elvington, shtatorin e vitit 2006.