Koci për Listën e Studentëve: Qëndrimi ndaj Kosovës, më i ashpër dhe më agresiv
Opinionisti Melazim Koci ka thënë se qëndrimi i Listës Studentore, që fitojë zgjedhjet në Serbi, është
“Kam përshtypjen se do të kemi të bëjmë me zëvendësimin e një nacionalizmi agresiv me një nacionalizëm më të sofistikuar”, ka thënë Koci në “Konfront” të KTV-së.
Koci përmend një intervistë të dhënë sot për agjencinë Reuters nga njëri prej liderëve të Lëvizjes Studentore, Jovo Bakiq.
Ai tha se në intervistë Bakiq tregon se politika e jashtme e Serbisë do të mbetet e pandryshuar. Tha se Serbia nuk do ta sanksionojë Rusinë e po ashtu tha se sa i përket Bashkimit Evropian do të vazhdohet me reforma por në fund do të mbahet një referendum sa i përket përfshirjes në BE.
“Është një hap më larg se Vuçiqi, i cili së paku deklarativisht thoshte se dëshiron të përfshihet në BE”, tha Koci. “...mendoj se është hap prapa në raport me politikën e Vuçiqit sa i përket orientimit drejt Brukselit. Sa i përket Kosovës, ishte koment i Reutersit, se politika e tyre do të jetë në konflikt me qëndrimin e BE-së...Kjo përkthehet se Lëvizja Studentore nuk do ta pranojë marrëveshjen franko-gjermane”.
Koci tregon se në intervistë Bakiq tregoi edhe se Serbia s’do t’i dërgojë më armë Ukrainës.
“Marrë në përgjithësi është pozicion më i afërt me Rusinë se ai i Vuçiqit”, tha Koci.
Memeti: Jemi optimist duke marrë parasysh ndryshimet drastike të pushtetit në Serbi
Deputeti i zgjedhur shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Visar Memeti, ka thënë se ekziston një optimizëm duke marrë parasysh për ndryshimet drastike që ndodhën të dielën në zgjedhjet në Serbi.
Aleksandar Vuçiq humbi pushtetin pas 12 vjet në postin e kryeministrit dhe presidentit, ndërsa fituese e zgjedhjeve doli Lista e Studentëve. Shqiptarët në zgjedhjet e parakohshme në Serbi garuan me listë të përbashkët – “Koalicioni shqiptar” – ndërsa fituan dy mandate. Shaip Kamberi dhe Visar Memeti do të jenë në Kuvendin e Serbisë.
“Nuk mund të flasim nga tash se çfarë presim. Ajo që është kryesorja është se jemi optimistë duke pasur parasysh ndryshimet që ndodhën dje, ndryshimet drastike të pushtetit në Serbi. Personalisht besoj se çdo qytetar, pavarësisht etnisë, këtu në Serbi është optimist për ndryshime pozitive”, tha Memeti në Konfront të KTV-së.
Memeti ka thënë se ka disa çështje prioritare për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ka thënë se një prej tyre është padyshim pasivizimi i adresave, ndërsa ka përmendur se kjo ka ndikuar edhe dje në zgjedhje. Ai ka treguar se kanë votuar vetëm 296 shqiptarë në Medvegjë për “Koalicionin shqiptar”. Ka thënë se çështja tjetër është mosnjohja e diplomave të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë, ndërsa po ashtu tha se çështje problematike është edhe inkuadrimi i pakët i shqiptarëve në institucionet publike.
Ai ka folur edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Tha se këtë vit, falë angazhimit të palodhur të Kurtit, shqiptarët e Luginës u bënë bashkë në një listë.