Auto

Fordi do t’i tërheqë mbi 600 mijë vetura nga tregu

Fordi ka bërë të ditur se do t’i tërheqë 634,000 vetura nga tregu në të gjithë botën për shkak të rreziqeve të zjarrit nga injektorët e karburantit.

Prodhuesi i dytë më i madh i automjeteve amerikane, sipas shitjeve, ka thënë se tërheqja mbulon SUV-të e modelit të viteve 2020-2023 Bronco Sport dhe Escape me 3 cilindra dhe me motorë 1.5 litra, raportoi Reuters të enjten.

Automjetet e riparuara sipas tërheqjes së mëparshme do të kenë ende nevojë për rregullimin e ri, bëri të ditur Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada.

Fordi ka thënë se një injektor i plasaritur karburanti mund të shkaktojë grumbullimin e karburantit ose avullit të karburantit pranë sipërfaqeve të nxehta, duke rezultuar potencialisht në zjarr.

Tërheqja sipas kompanisë, përfshin 520,000 vetura në SHBA dhe rreth 114,000 në shtetet e tjera.

Kompania po ashtu ka bërë të ditur se ka pasur 54 raporte për zjarr, mirëpo nuk ka pasur ndonjë rast të vdekjes si pasojë e problemit.