Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26%, ka nisur të zbatohet nga sot prej kompanive të sigurimeve.
Drejtuesit e automjeteve nga dita e sotme janë të obliguar që të paguajnë sigurimin për 26 për qind më shtrenjtë.
Primi për sigurimin e veturës 1.8 (centimetër kub) që ka qenë 130 euro, prej sot është 164,62 euro ose 34.62 euro më shumë se që ishte deri dje.
Burime nga BQK, i kanë thënë KosovaPress-it se vendimi për shtrenjtimin e sigurimeve ka hyrë në fuqi sot.
“Vendimi i marrë më 1 nëntor nga BQK i është dërguar kompanive të sigurimeve dhe ka hyrë në fuqi nga sot për rishikimin e tarifave të sigurimit për kategoritë e automjeteve për pasagjerë”, thotë ky burim.
Derisa, drejtues të kompanive të sigurimit nuk janë deklaruar.
Ndaj këtij vendimi për shtrenjtimin e sigurimeve, janë shprehur të shqetësuar edhe drejtues të Odës së Afarizmit të Kosovës, të cilët konsiderojnë se rritja e tarifave në regjistrimin e makinave për 26% me arsyetimin e falimentimit të një kompanie sigurimi nuk është arsyetim. Sipas tyre, BQK nuk duhet t’i vihet në barrë biznesit dhe qytetarëve.
Edhe
As Kuvendi e as Qeveria s’kanë kërkuar uljen e tarifës për sigurim të automjeteve
Ndërsa, për të shtunën, më 23 nëntor janë paralajmëruar dy protesta kundër rritjes së çmimit për sigurimin e automjeteve në Prishtinë.
Madje, njëri prej tyre ishte paraparë të mbahej nesër më 16 nëntor por për shkak të ndeshjes Kosovë-Angli, policia nuk ka lejuar të protestohet tek BQK e cila gjendet në afërsi të stadiumit “Fadil Vokrri”.
BQK-ja më 1 nëntor kishte marrë vendim që tarifat e sigurimit për kategoritë e automjeteve për pasagjerë të rriten për 26 për qind.