Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zyba: Lajmin për kërkim largimin e drejtorit të AKI-së e morëm përmes mediave

Deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, ka thënë se lajmin për kërkimin e largimit nga posti të drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashi, nga kryeministri Avdullah Hoti, e kishin kuptuar nëpërmjet mediave.

Zyba ka treguar se Gashi ishte paraparë të paraqitej në Komision për Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ku Zyba është anëtar.

“Është e vërtetë se ka dështuar. Pak minuta para se të fillonim mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Agjencisë, kemi marrë njoftim përmes kryetarit të këtij agjencisë se drejtori ka mundësi të vonohet për pak minuta. Më pas gjatë mbledhjes jemi njoftuar se ka edhe një vonesë tjetër, kemi marrë një pauzë tjetër. Më pas e kemi kuptuar se përfundimisht nuk vjen në këtë mbledhje me arsyetimin se ka një urgjencë në Qeveri. Kështu që më pas u konfirmua përmes mediave diçka që kishte ndodhur, që ne si komision nuk e kishim informatën”, ka thënë Zyba në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se duke e marrë parasysh se ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, nuk është fizikisht në Kosovë, pasi gjendet në Shqipëri në vizitë, nuk e di se sa mund të quhet përfundimtare vendimi i shkarkimit të Gashit.

Kërkim lirimi i detyrës së Gashit nga ana e Hotit është thënë nga presidenca se është bërë në koordinim me u.d. e presidentes Vjosa Osmani.

“Meqenëse me përgjegjësinë që kam personalisht përmes subjektit dhe grupit parlamentar si anëtar i një Komisioni ku përgjegjësi e veçantë në këtë komision është mbikëqyrja e një ligji, unë po i referohem pjesës së një ligji, ku nuk kemi konfirmim zyrtar apo publik, për të cilën konfirmohet se këtu tashmë ka një bashkëpunim apo marrëveshje finale për këtë procedurë të shkarkimit ose të kërkim lirimit nga detyra, mes presidentes dhe kryeministrit. Në deklarimet që kanë qenë nëpërmjet mediave mes përfaqësuesëve apo zyrtarëve tjerë, mund të themi se ka pasur qëndrime të deklarimeve, por jo përfundimisht në procedura, e aq më pak në Komisionin tonë për të cilin ndoshta më pas do të vijë një qëndrim apo deklarim përfundimtar. Duke e pasur parasysh mungesën e u.d së presidentes, që nuk ndodhet fizikisht në Kosovë. Nuk e di sa mund ta quajmë formë përfundimtare të një vendimi apo një qëndrimi”, tha Zyba.