Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Musliu: Ka ndodhur takimi Ajeti-Caka, por jo për çështjet për të cilat është raportuar

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, ka raportuar të premten para komisionit parlamentar që mbikëqyr këtë institucion. Pas përfundimit të raportimit rreth dyorësh, kryetarja e komisionit, deputete Ganimete Musliu, njoftoi se pika e vetme e rendit të ditës ishte raportimi në media për takimin e drejtorit të AKI-së me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.

Musliu tha se ky takim ka ndodhur, mirëpo jo në ato rrethana për çka është raportuar.

Javë më parë në media është raportuar se Ajeti është takuar me kryegjyqtaren Caka dhe ia ka ofruar një dokument, në të cilin figuron se gjyqtarë të Kushtetueses janë të përfshirë në krim dhe po shantazhohen nga jashtë me qëllimin që, nëpërmjet një vendimi që lidhet me mandatin e dy deputetëve, të rrëzohet presidentja Vjosa Osmani.

“Drejtori ka konfirmuar se ky takim ka ndodhur, por në asnjë formë a rrethanë, s’ka të bëjë me atë se çka është raportuar në media. Qëllimi i takimit ka qenë ruajtja e kredibilitetit të sigurisë së vendit dhe ligjshmërisë së vendit. Unë mendoj se qytetarët e Kosovës duhet t’i heqin dilemat dhe ta mbajnë besueshmërinë në këtë institucion”, tha ajo.