Një varg shkeljesh dhe mangësish i ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar për vitin 2024. Sipas ZKA-së, ky institucion u ka dhënë kontrata operatorëve të papërgjegjshëm dhe ka shkaktuar efekte financiare shtesë nëpërmjet keqkalkulimit të shtesave të kujdestarive për ditën e premte
Në tri raste Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK) gjatë vitit 2024 ka kontraktuar operatorë ekonomikë, ndonëse nuk i kishin përmbushur kërkesat e dosjes së tenderit, ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore.
Lidhja e kontratës për procedurën e prokurimit: “Servisim dhe mirëmbajtje e pajisjeve mjekësore”, “Rinovim i ambulancave të pranimit në Klinikën e ORL-së dhe Oftamologji” dhe “Ndërtimi i depos sanitare farmaceutike”, sipas ZKA-së, është bërë në kundërshtim me Ligjin dhe Udhëzimin e Prokurimit.
Për të tria këto raste SHSKUK-ja i ka shpenzuar në total afër 878 mijë euro.
“Shkak i këtyre veprimeve ishte pakujdesia e anëtarëve të komisionit, të cilët i vlerësuan si të përgjegjshme ofertat e OE-së, edhe me gjithë faktin që ofertat nuk i përmbushnin të gjitha kushtet sipas Ligjit të Prokurimit Publik dhe akteve të tjera juridike në fuqi. Mosrespektimi i legjislacionit mund ta rrezikojë cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve, si dhe mungesën e transparencës dhe barazisë në proces. Këto mangësi mund të çojnë në pasoja ligjore, vonesa, shpenzime shtesë dhe humbjen e besimit nga OE-ja dhe palët e tjera, duke e dëmtuar integritetin dhe efikasitetin e sistemit të prokurimit publik”, thuhet në raportin e auditimit.
Për këto gjetje SHSKUK-ja nuk është pajtuar, megjithëkëtë, sipas ZKA-së, nuk ka ofruar prova bindëse që e mbështesin të kundërtën e asaj që është evidentuar.
Një tjetër mangësi, të cilën e ka gjetur ZKA-ja në SHSKUK, është edhe kalkulimi jo i duhur i shtesave të kujdestarive për ditën e premte, gjë kjo që ka shkaktuar efekt financiar dhe shpenzime përtej planifikimit.
“Shtesat për kujdestaritë e ditës së premte janë llogaritur me 150% të pagës bazë, si për kujdestaritë gjatë fundjavës. Si rezultat i këtij kalkulimi të gabuar, i cili ka sjellë një pagesë prej 30% më shumë sesa që duhej, vetëm në QKUK është krijuar një shpenzim financiar shtesë prej 137.368 eurosh”, është gjetur në raportin e auditimit.
Praktikë e njëjtë e kalkulimit është ndjekur edhe në Spitalin e Vushtrrisë dhe në atë të Prizrenit.
Sipas ZKA-së, Bordi drejtues dhe drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së duhet të sigurohen që kalkulimi i shtesave për kujdestari të bëhet në përputhje me ligjin.
Vonesa në pagesën e faturave, klasifikimi joadekuat i shpenzimeve dhe mbivlerësimi i regjistrave të pasurive kanë qenë disa nga gjetjet e tjera, me të cilat është pajtuar menaxhmenti i SHSKUK-së.