Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nuk i dha qasje KOHË-s, SHSKUK-ja gjobitet me 3 mijë euro për mbajtje të fshehtë të raporteve

SHSKUK - Administrata Qendrore

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar është gjobitur me 3 mijë euro nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, pasi nuk i ka ofruar qasje KOHËS në raportet tre dhe gjashtëmujore të furnizimit me barna esenciale.

Sipas kësaj Agjencie, SHSKUK-ja ka vepruar në kundërshtim me ligjin, kur i ka fshehur dokumentet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Këto dokumente lidhen edhe me shpenzimin e parasë publike, qasjen në të cilat e garanton nënparagrafi 3.1 i nenit 17 të Ligji për Qasje në Dokumente Publike. Veç kësaj, dy kategoritë e dokumenteve që janë objekt kërkese, sipas ligjit... parashihen të bëhen publikisht të qasshme në faqen zyrtare të institucionit publik”, thuhet në vendimin e AIP-së.

KOHA ka pyetur në SHSKUK për arsyet që dokumentet mbahen fshehtë.

Drejtoresha e Barnatores Qendrore, Dardane Mehaj, ka thënë se raportet e kërkuara nuk ekzistojnë.

“Në faqet zyrtare që janë publike mund të gjeni të gjitha informatat në lidhje me kontratat që janë lidhur nga institucioni ynë. Gjithashtu në ueb faqe të Institucionit tonë janë publike listat e stoqeve që posedon institucioni ynë, të cilat përditësohen në vazhdimësi. Po ashtu në ueb faqen e Ministrisë së Shëndetësisë është publike Lista e barnave esenciale. Andaj edhe njëherë po e ritheksoj që ne nuk jemi të obliguar të prodhojmë dokumente që nuk i posedojmë”, ka thënë ajo.

Por, Mehaj, vitin e kaluar pati folur për ekzistencën e raporteve që tash thotë se nuk ekzistojnë.

“Kemi raporte në vazhdimësi sa është përqindja e furnizimit. Sa blejmë barna? Sa s’kemi barna? Sa kemi mungesa. Ne raportojmë pothuajse çdo javë dhe i kemi raportet 3 mujore dhe 6 mujore që raportojmë në menaxhment. I raportojmë menaxhmentit dhe Bordit të SHSKUK-së, për nivelin e furnizimit me barna në kuadër të listës esenciale”, pati thënë Mehaj.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, nuk kanë dhënë sqarime lidhur me përmbajtjen e raporteve, për të cilat SHSKUK-ja ka pranuar të gjobitet në vend se t’i bëjë publike. E ka bërë këtë, pavarësisht se në bazë të ligjit, ministria mbikëqyr SHSKUK-në.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju lutemi t’i drejtoheni SHSKUK-së, pasi menaxhimi i administratës në SHSKUK bëhet nga vetë SHSKUK-ja”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

KOHA vazhdimisht ka raportuar për mungesë barnash esenciale, për të cilat ligji e obligon shtetin t’i sigurojë pa pagesë për pacientët.