Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës janë konstatuar mangësi lidhur me kontratat e punës dhe menaxhimin financiar. Nga auditimi është konstatuar se 13 zyrtarë janë duke punuar pa kontrata të reja e janë evidentuar edhe shkelje të tjera
Trembëdhjetë zyrtarë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ka rezultuar se punojnë pa kontrata të reja të punës, sipas raportit të auditimit për pasqyrat financiare të këtij institucioni për vitin 2024.
Në bazë të raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, figuron se në këto raste janë të përfshira kryesisht pozitat e bashkëpunëtorëve profesionalë, rojave e vozitësve.
Mospërputhshmëria e koeficientit të pagës është një tjetër problem që përmendet në raport.
“Më tej këto akte, emërime apo kontrata ekzistuese të nënshkruara nga 2012 e tutje nuk ofrojnë bazë të qartë për kalkulimin e pagesës pasi vlera e koeficienteve të këtyre kontratave ndryshon me vlerën e koeficienteve të caktuara e rregulluar me Ligjin e pagave apo Rregulloren për klasifikimin e vendeve të punës, e cila ka hyrë në fuqi nga qershori 2024”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Po ashtu theksohet se mbi 5 mijë euro për paga retroaktive të një këshilltari për 11 muaj të 2023-tës janë ekzekutuar pa ofruar ndonjë dëshmi që e arsyeton pagesën.
Sipas ZKA-së, kjo është bërë si rezultat i pakujdesisë së menaxherëve përgjegjës për llogaritjen e pagave, për çka i është kërkuar kryesuesit të KGjK-së sigurimi i raportit për implementimin e kontratave.
“Mungesa e përgatitjes së akteve të reja të emërimit apo kontratave të punës përveçse është mospërfillje e kërkesave ligjore njëkohësisht ndikon edhe në krijimin e paqartësive në llogaritjen dhe realizimin e pagesave për punonjësit si dhe në rast të kontesteve e vështirëson marrjen e vendimeve apo kalkulimin e drejtë të pagesës. Ndërsa pagesa e retroaktives pa dëshmi mbështetëse ndikon në realizimin joracional të parasë publike”, thuhet në raport.
Në KGJK mosofrimin e kontratave të reja për 13 zyrtarët e kanë arsyetuar me hyrjen në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe atë të Pagave, duke thënë se Sekretariati ka
qenë i rezervuar në lëshimin e akteve të reja të emërimit.
“Më gjithë këtë, çështja e vendit të punës dhe e pagës së këtyre të punësuarve është e rregulluar me vendim dhe rregullore të Këshillit Gjyqësor që nënkupton se të njëjtit nuk kanë asnjë dilemë sa i përket sigurisë për vendin e punës dhe të ardhurave mujore, për çka Sekretariati është siguruar që të njëjtit kompensohen në pajtim me ligjin. Gjithashtu, edhe kontratat e tyre paraprake janë në fuqi derisa të ndryshohen me akte të reja”, thuhet në arsyetimin e KGJK-së.
Auditori po ashtu ka gjetur se regjistra jo të saktë të pasurisë brenda KGjK-së kanë rezultuar në furnizimet me inventarë dhe mobilie, me ç’rast 21 mijë euro nuk janë evidentuar në regjistrat e pasurisë me vlerë nën 1 mijë euro.
E në KGjK lanë thënë se janë duke i trajtuar me seriozitet të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për përmirësimin e funksionimit të sistemit gjyqësor.