Arbëri

Gjyqtarët pa ndihmësit që ua garanton ligji

Ligji për Gjykatat përcakton që secili gjyqtar duhet të ketë së paku një bashkëpunëtor profesional. Por nga 450 gjyqtarë sa janë në të gjithë sistemin, 142 prej tyre nuk e gëzojnë këtë të drejtë. Këshilli Gjyqësor ka fajësuar Ministrinë e Financave se tash e sa kohë nuk po i ndan buxhet, e njohësit e fushës së drejtësisë thonë se kjo ndikon në vonimin e zgjidhjes së lëndëve

Nga 450 gjyqtarë sa janë në të gjitha gjykatat në Kosovë, vetëm 308 prej tyre kanë bashkëpunëtorë profesionalë.

Neni 39, pika 2 e Ligjit për Gjykatat përcakton se çdo gjyqtar duhet të ketë së paku një bashkëpunëtor profesional, por 142 gjyqtarë nuk e gëzojnë këtë të drejtë.

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës kanë thënë se Themelorja në Prishtinë me degët e saj, është gjykata me mungesën më të madhe të bashkëpunëtorëve profesionalë, gjithsej 47.

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë bashkë me degët, 17 gjyqtarë nga 49 sa janë gjithsej, janë pa bashkëpunëtorë profesionalë. 

Telashe të ngjashme kanë edhe gjykatat e tjera.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë fajësuar Ministrinë e Financave për këtë mungesë.

“Arsyeja kryesore dhe e vetme është mosndarja e buxhetit për pozitat e bashkëpunëtorëve profesionalë sipas nenit 39, pika 2 të Ligjit për Gjykatat. KGJK në mënyrë të vazhdueshme në secilin vit kërkon nga Kuvendi i Republikës së Kosovës/Ministria e Financave ndarjen e pozitave shtesë për bashkëpunëtorë profesionalë, sipas Ligjit, por kjo deri më tani nuk ka ndodhur. Edhe në kërkesën buxhetore për vitin 2026, KGJK-ja ka përsëritur kërkesën e njëjtë për ndarjen e pozitave shtesë për bashkëpunëtorë profesionalë”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Sipas KGJK-së, mungesa e bashkëpunëtorëve pengon efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve. 

E juristi Anton Nrecaj tha se kjo pengesë zbeh besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

“Besueshmëria e qytetarëve sa i përket sistemit të drejtësisë është pikërisht kjo për shkak të vonesave të trajtimit të lëndëve. Nga një anë e kuptojmë edhe ngarkesën e madhe që e kanë gjykatat, por që ka edhe dobësi, mangësi, zbrazëti, në të cilat do duhej t'i plotësonim. Natyrisht, pjesa e aspektit profesional është çështje tjetër. Mirëpo, kur flasim për pjesën e mungesës së stafit personel, natyrisht që kjo e ka edhe efektin edhe të vonesave të trajtimit të lëndëve, qoftë në çështjet civile, por edhe në penale, sepse bashkëpunëtorët profesionistë nuk trajtojnë lëndë vetëm civile, por edhe penale”, ka thënë Nrecaj.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, u shpreh se Ministria e Financave duhet ta pranojë kërkesën e KGJK-së për rritje të buxhetit.

“Ka një ligj në fuqi për të cilën qeveria do të duhej që ta përmbushte, ta përcillte edhe me buxhet të caktuar, por me buxhet adekuat, në ndërkohë një çështje e tillë nuk adresohet dhe nuk mirëkuptohet nga ana e Ministrisë së Financave, për arsye se ajo,[ përgjithësisht në secilin vit vijues fiskal nuk ndan mjete buxhetore sipas kërkesave të cilat i dorëzon KGjK, KPK dhe organet e tjera të drejtësisë”, ka deklaruar Jakaj.

KOHA ka nisur pyetje në Ministrinë e Financave për këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.