Komunarët e Fushë-Kosovës nuk i kanë respektuar afatet ligjore për lëshimin e kushteve dhe lejeve ndërtimore.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se në disa raste Komuna i ka vonuar ato deri në shtatë muaj.
“Sipas Ligjit të Ndërtimit me Nr. 04/L-110, neni 17 (pika 1.2) përcaktohet se ‘leja ndërtimore lëshohet nga organi kompetent brenda tridhjetë (30) ditëve pas pranimit të kërkesës për leje ndërtimore për kategorinë I dhe dyzet e pesë (45) ditë për kategoritë II dhe III’. Neni 17 (pika 1.1) përcakton se ‘organi kompetent parasheh kushtet ndërtimore brenda pesëmbëdhjetë
(15) ditëve pas pranimit të kërkesës për kushtet ndërtimore për ndërtimet e kategorisë I dhe tridhjetë (30) ditë për ndërtimet e kategorive II dhe III”, thuhet në raportin vjetor të ZKA-së për këtë komunë. “Nga testimi i 41 mostrave, në nëntë (9) raste komuna nuk ka respektuar afatet ligjore për lëshimin e lejes së ndërtimit, janë identifikuar vonesa nga një muaj e deri në 7 muaj. Ndërsa te lëshimi i kushteve ndërtimore, në 13 raste komuna kërkesat e pranuara i kishte shqyrtuar me vonesë, bazuar në afatin ligjor vonesat janë identifikuar nga një deri në 4 muaj”. Bazuar në këtë raport, zyrtarë komunalë janë arsyetuar se kjo situatë ka ndodhur si pasojë e numrit të madh të kërkesave për leje të ndërtimit dhe se të njëjtat kërkesa-lëndë për të përfunduar për kushte ndërtimore dhe leje ndërtimi, me të drejtë ligjore duhet të kalojnë në shqyrtime të njëpasnjëshme nëpër drejtori.
Arsyetim tjetër është dhënë edhe mosmbajtja e lëndëve në mënyrë të organizuar dhe mungesa e stafit të mjaftueshëm për trajtimin me kohë të tyre.
“Shqyrtimi i kërkesave për kushte ndërtimore dhe leje ndërtimore me vonesë nga autoritetet komunale dëmton performancën e komunës, si dhe është në kundërshtim me rregullat e përcaktuara ligjore. Kjo po ashtu ndikon edhe në realizimin e vonuar/shtyrje të të hyrave, që burojnë nga këto shërbime, për të cilat komuna bart përgjegjësi në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Kryetari duhet të sigurojë se zyrat përgjegjëse kanë staf të mjaftueshëm në
dispozicion dhe shqyrtimi i kërkesave për kushte ndërtimore dhe atyre ndërtimore të bëhet brenda afateve të përcaktuara ligjore”, thekson raporti i Auditorit.