Arbëri

Graçanica e vonon lëshimin e lejeve ndërtimore

Gracanica

Komunarët e Graçanicës janë treguar goxha “dembelë” në lëshimin e lejeve ndërtimore.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se kjo komunë nuk i kishte shqyrtuar me kohë kërkesat për leje ndërtimore dhe ato i kishte lëshuar me vonesë deri në gjashtë muaj. Sipas nenit 21, paragrafi 3 i Ligjit Nr.04/L-110 për ndërtim parashihet që nëse kushtet e parapara me këtë ligj janë përmbushur dhe nëse aplikuesi ka paraqitur dëshmi për pagesën e taksës së lejes ndërtimore, organi kompetent brenda tridhjetë (30) ditësh për kategorinë I dhe brenda dyzet e pesë (45) ditëve për kategoritë II dhe III e lëshon lejen ndërtimore duke llogaritur nga data e paraqitjes së kërkesës.

“Nëse organi kompetent nuk e ka informuar aplikuesin për vendimin e tij brenda afatit të përcaktuar do të konsiderohet se leja është lëshuar. Në rastin e tillë, organi kompetent e lëshon lejen ndërtimore. Gjatë testimit kemi vërejtur se Komuna nuk kishte shqyrtuar lëshimin e lejeve ndërtimore brenda afatit të paraparë ligjor sepse në katër raste lëshimi i lejeve ishte bërë me vonesa nga një deri në gjashtë muaj. Kjo ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së Drejtorisë së Urbanizmit për ta lëshuar lejen ndërtimore ashtu siç është e paraparë me ligj”, thuhet në raportin vjetor të ZKA-së për Komunën e Graçanicës.

Vonesa në dhënien e lejeve ndërtimore, sipas Auditorit, ndikon që aplikuesit të fillojnë ta bëjnë ndërtimin pa leje.

Përveç kësaj, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se kryerja e punimeve në një projekt ishte bërë jo në pajtim me paramasën dhe parallogarinë e kontraktuar.

Bazuar në raportin e ZKA-së, projekti “Ndërtimi i urës së armuar në Gushtericë të Poshtme” në vlerë 23,297€, sipas paramasës dhe parallogarisë ishte paraparë të ndërtohet në gjatësi 12m.

“Pozicioni 5.1- Blerja, transporti dhe shtrimi me makinë finalizuese të shtresës mbajtëse nga asfalti BNS 16 të trashësisë d = 7cm, është në sipërfaqe 78m² në vlerë 624€, Pozicioni 5.2- Blerja, transporti dhe shtrimi me makinë finalizuese të shtresës grisëse nga asfalti i shkrirë AB 11 të trashësisë d = 4cm në sipërfaqe 102m² në vlerë 612€, si dhe Pozicioni 6.2- Furnizimi me material, përgatitja dhe montimi i rrethojës prej profileve metalike me prerje tërthore Ø63mm,sipas detalit h=1.4m në gjatësi 32m në vlerë 800€. Me datën 24.03.2022, ne së bashku me menaxherin e projektit kemi bërë një ekzaminim fizik të këtij projekti dhe kemi vërejtur se ky projekt nuk ishte përfunduar sipas paramasës dhe parallogarisë së kontraktuar”, thuhet tutje në raport. “Pozicioni 5.1 Blerja, transporti dhe shtrimi i asfaltit d=7cm, ishte shtruar në sipërfaqe prej rreth 55m²(7.7m gjatësi+9.3m gjatësi=17m/2=8.5m gjatësi*6.5m gjerësi=55.25m²). Pozicioni 5.2- Shtrimi i asfaltit në trashësisë d = 4cm, nuk ishte realizuar fare. Pozicioni 6.2- Montimi i rrethojës ishte bërë për 17.6m. Vlen të theksohet se në raportin e menaxherit të projektit këto punime figurojnë si të përfunduara. Pas pranimit të draft raportit tonë të auditimit Komuna kishte marr veprime për t'i eliminuar mangësitë e identifikuar, me ç'rast ka kërkuar nga ne të bëjmë një riekzaminim”.

Në raportin e Auditorit thuhet se në riekzaminim të këtij projekti, është vërejtur se mangësitë e identifikuara ishin eliminuar.

Tutje Auditori ka gjetur se Komuna e Graçanicës nuk e kishte përgatitur raportin e inventarizimit para përgatitje së raportit vjetor financiar.

“Sipas Rregullores Nr. 02/2013 – Për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore, nenet 18 dhe 19 si dhe paragrafët 4.6 dhe 4.7 përcaktojnë që komisioni për inventarizimin e pasurive jo financiare, përgatit raportin për kryerjen e inventarizimit si dhe hartimin e raportit të përgjithshëm në bazë të raporteve individuale të Komisionit për inventarizimin e pasurisë jofinanciare në kohën e përshtatshme para përgatitjes së pasqyrave financiare vjetore”, thuhet në raport. “Komuna kishte formuar me vendim të kryetarit komisionin për inventarizimin e pasurisë, mirëpo komisioni kishte hartuar raportin e përgjithshëm pas përgatitjes së RVF. Vonesat në hartimin e raportit të inventarizimit të pasurive kishin ndodhur për shkak të dobësive në kontrollet e brendshme lidhur me respektimin e kritereve për përgatitjen raportit nga komisioni i inventarizimit”.

Sipas ZKA-së, moshartimi i raportit të inventarizimit para përgatitjes së pasqyrave financiare, reflekton negativisht në saktësinë dhe plotësinë së regjistrave të pasurisë dhe në prezantimin e tyre në pasqyrat financiare.