Arbëri

Graçanica hesht për borxhin afro 4 milionë euro

Komunarët e Graçanicës nuk po arrijnë t’i bindin qytetarët e saj për t’ia paguar borxhin e tatimit në pronë, qirasë e taksat komunale. Ky borxh në fund të vitit 2021 ka arritur në 3 milionë e 826 mijë e 839 euro. Shumica e kësaj shume përbëhet nga tatimi në pronë (2,881,689 euro), pastaj shpronësimi i tokës komunale (671,855 euro), nga taksat për ushtrimin e veprimtarisë (228,270 euro), dënimet nga inspekcioni (26,683 euro) dhe në fund nga qiraja (18,342 euro). Kjo dobësi e mosarkëtimit të të hyrave është evidentuar edhe në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për këtë komunë.

Sipas nenit 26 të Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, Komuna, Ministria e Financave dhe organet kompetente përmbaruese kanë autoritetin dhe kompetencat për të mbledhur detyrimet tatimore të papaguara që kalojnë shumën e 10 eurove. Tutje në nenin 27 thuhet se nëse një tatimpagues apo debitor nuk ka paguar plotësisht tatimin dhe gjobën nëse ka të këtillë, ose detyrimet tatimore të papaguara, në përputhje me afatet e përcaktuara, komuna nxjerr njoftimin përfundimtar me shkrim brenda dhjetë ditëve pune pas ditës së fundit për pagesë, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimeve tatimore të papaguara, jo më vonë se dhjetë ditë kalendarike pas ditës që njoftimi përfundimtar konsiderohet të jetë pranuar nga debitori.

“Arkëtimi i të hyrave tjera duhet të bëhet sipas afateve kohore të përcaktuara në faturë për secilin lloj të të hyrave. Komuna në vitin 2021 ka shpalosur në PFV (Pasqyrat Financiare Vjetore v.j.) llogaritë e arkëtueshme në vlerë 3,826,839€. Pjesa më e madhe i takon tatimit në pronë në vlerë 2,881,689 apo rreth 75%, shpronësimi i tokës në vlerë 671,855€ apo rreth 18%, taksat në veprimtari në vlerë 228,270€ apo rreth 6% dhe të tjerat në vlerë 45,025€ apo rreth 1%”, thuhet në raportin e ZKA-së. “Komuna nuk kishte menaxhim efektiv në mbledhjen e të arkëtueshmeve pasi që vazhdon rritja e tyre nëpër vite. Në krahasim me vitin paraprak rritja ishte rreth 214,796€. Dobësitë e identifikuara lidhur me llogaritë e arkëtueshme janë për shkak të kontrolleve të brendshme jo efikase në menaxhimin përkatësisht arkëtimin e tyre”.

Sipas Auditorit, mosarkëtimi në kohë i të hyrave të ngarkuara ndikon në nivelin e fondeve të mbledhura për buxhetin komunal dhe reflekton negativisht në financimin dhe realizimin e projekteve nga të hyrat vetjake.

“Kryetarja duhet të sigurojë përmirësimin e procesit të menaxhimit të llogarive të arkëtueshme në mënyrë të rritjes së efikasitetit në arkëtimin e llogarive të arkëtueshme”, thuhet tutje në raport.

KOHA i ka pyetur zyrtarët komunalë të Graçanicës për mosarkëtimin e këtyre mjeteve, nëse kanë ndonjë plan konkret se si t’i inkasojnë të hyrat vetjake, por ata nuk janë përgjigjur.