Objekti ku mjekët e Qendrës së Urgjencës në Prishtinë punuan për 16 vjet, ka nisur të rinovohet i tëri.
Ekipet që u dalin në ndihmë qytetarëve në raste urgjente, janë shpërndarë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare 4, 5 dhe 11, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Punimet që kanë nisur këtë javë, sipas kontratës së nënshkruar nga Drejtoria e Shëndetësisë me kompaninë punëkryese, pritet të përfundojnë brenda 90 ditësh pune.
Pavarësisht shpërndarjes në disa qendra, udhëheqësi i Urgjencës thotë se kjo nuk po e vonon ndihmën ndaj personave që kanë nevojë.
Avdyl Pacolli, drejtor i Qendrës së Mjekësisë Urgjente, thotë se po mundohen ta ulin kohën mesatare të mbërritjes në vendin e ngjarjes, e cila aktualisht është gjashtë minuta.
Aktualisht, drejtoria dhe administrata janë zhvendosur në QMF-në numër pesë. Ndërsa, në këtë qendër funksionon edhe ekipi që i pranon thirrjet e qytetarëve që kanë nevojë për ndihmë.
Në mesin e njësive të tjera, në objektin e rinovuar do të ketë një hapësirë të veçantë dhe më të përshtatshme edhe për qendrën e thirrjeve.