Arbëri

Shërbime shëndetësore në shtëpi edhe gjatë fundjavave

Bëjnë gati çantën duke e mbushur me ilaçet që u nevojiten për terren.

Pas kontrollimit të kartelave dhe gjithçka tjetër, nisen te pacientët të cilëve do t’u shërbejnë.

Kjo është puna që çdo ditë e bën doktoresha Sahadete Kelemendi së bashku me infermieren Arbresha Islami.

Përderisa deri më tani kanë shërbyer 5 herë në ditë paralelisht me një ekip tjetër mobil, nga tani shërbimi për pacientët me sëmundje kronike do të bëhet edhe ditëve të vikendit.

Me veturën ambulantive nisen në 7 e 30, pasi gjatë ditës shkojnë deri në 40 pacientë.

Pacienti i parë është Murat Pacolli i cili ka vite që vuan nga sëmundja e mushkërive. Për shkak të një aksidenti në këmbë ai nuk mund të marrë terapinë e nevojshme në qendrat e mjekësisë familjare.

Por puna nëpër shtëpi, për ekipet mobile nuk është çdoherë e lehtë.

Doktoresha Kelmendi tregon se shërbimi edhe gjatë së shtunës dhe së dielës ka qenë shumë i nevojshëm.

Shërbimi gjatë ditëve të vikendit është mirëpritur mjaft shumë nga vetë Pacolli.

Megjithëse shërbimet ofrohen, vetë ekipi mjekësor ankohet për mungesë të stafit.

“Jemi vetëm dy mjekë të përhershme dhe kemi edhe 3 mjekë me kontratë mbi vepër deri në qershor, por pas qershorit duhet të bëjmë një zgjidhje”, ka thënë ajo.

Gjatë vizitës së kryetarit Përparim Rama, ku ishin të pranishëm edhe drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, dhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Bujar Gashi, u premtua se do të ketë staf shtesë për QMF me numër 11.

“Kemi përparuar në aspektin e shërbimeve për qytetarët tanë. Nëse keni nevoja tjera vetëm na tregoni jemi të gatshëm të ndihmojmë me çka keni nevojë”, ka thënë Rama.

“Kemi marrë garancion prej drejtorit dhe kryetarit se do të mbulohet me staf të përhershme e në këtë kohë besoj që ju ja dilni, dhe shumë shpejt do të keni staf të qëndrueshëm”, ka shtuar Gashi.

Numrat kontaktues në këtë qendër, për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për shërbime mjekësore në shtëpi janë: 080099999 dhe 0800551559.