Arbëri

Zgjedhjet në Serbi dhe efekti i pandemisë

Gazetari që tash e disa vjet punon për media të ndryshme nga Beogradi, Idro Seferi, tregoi se Serbia u kritikua goxha shumë për mbajtjen e zgjedhjeve në qershor, porse ato u zhvilluan pa ndonjë problem dhe pa tubime paraelektorale.

Serbia ishte ndër vendet e para në Evropë që mbajti zgjedhje pas izolimit dy-tre mujor për shkak të pandemisë.

Seferi në një intervistë në Raport të KTV-së, tha se zgjedhjet u mbajtën në një kohë kur u mendua se COVID-19 po e humb shkallën e rrezikshmërisë. Ishte kjo periudha pas valës së parë.

“Zgjedhjet u zhvilluan në një situatë kur pati një numër të madh të infektuarve. Serbia ishte kryesuese në rajon për nga numri i të prekurve. Zgjedhjet u zhvilluan pak pas relaksimit të masave. Ka qenë kritike në ditën e zgjedhjeve. Natyrisht zgjedhjet janë mbajtur pa tubime të mëdha, dhe po ashtu me një spektakël të jashtëzakonshëm të presidentit Vuçiq, i cili para qindra ekraneve për herë të parë mbajti një tubim, të themi elektronik. Ata që e shikonin nuk kishin shumë mundësi t’i shtronin pyetje, por gjithsesi ishte një situatë ku ai tregoi fuqinë e tij që edhe në këtë kohë arriti t’i drejtohet elektoratit”, ka thënë Seferi.

Gjithsesi, zgjedhjet patën efektin e tyre. Mbajtja e tyre dhe lejimi i ndeshjeve të futbollit me shikues, rritën numrin e të prekurve me COVID-19.

“U kritikua shumë Serbia, pasi shumë qytete ishin kthyer në vatra të COVID-it. Ato në një formë u relativizuan dhe Shtabi i Përgjithshëm i Krizave filloi të mos mbante konferenca të përditshme për shtyp dhe u krijua një përshtypje sikur COVID-i ishte dobësuar dhe ishte një atmosferë shumë pozitive për t’i mbajtur zgjedhjet. Por dy-tri javë më vonë, jo vetëm për shkak të zgjedhjeve, edhe për shkak të ndeshjeve të futbollit që u zhvilluan me shikues, pati një rritje të jashtëzakonshme të të prekurve, madje edhe kritika për shtrembërimin e fakteve, për mostregimin e numrit të saktë të të infektuarve dhe të vdekurve në ditë”, ka thënë Seferi.

Zgjedhjet në Serbi nxorën fitues Vuçiqin dhe partinë e tij.