Analisti politik Adrian Zeqiri ka deklaruar se manipulimi i votave të kandidatëve në zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk është rast i izoluar, por dëshmi e një skeme të sofistikuar dhe të koordinuar që, sipas tij, mund të jetë përdorur edhe në zgjedhjet e kaluara.
Zeqiri ka thënë se dyshimet mes kandidatëve për numrin e votave kanë ekzistuar prej disa ciklesh zgjedhore, por përmasat e parregullsive të zbuluara këtë herë e dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për gabime njerëzore.
“Rastet që po i shohim janë përtej gabimeve njerëzore. Ka pasur koordinim dhe një sistem që ka funksionuar me qëllim të shtrembërimit të rezultateve të kandidatëve”, theksoi ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas Zeqirit, ndërsa vota mes partive mbetet relativisht e sigurt për shkak të mekanizmave të kontrollit, vota brenda partive është shumë më e cenueshme ndaj keqpërdorimeve.
Ai vlerësoi se rinumërimi i të gjitha votave është një hap i domosdoshëm, pasi procesi zgjedhor është dëmtuar rëndë, ndërsa përgjegjësia kryesore bie mbi zyrtarët e numërimit.
“Kemi të bëjmë me keqpërdorim të detyrës zyrtare. Procesi i numërimit është i dokumentuar në të gjitha fazat – nga formularët deri te incizimet – dhe kjo e bën më të lehtë identifikimin e zyrtarëve që kanë shkelur ligjin”, ka thënë Zeqiri.
Ai shtoi se Prokuroria nuk do ta ketë të vështirë të vërtetojë manipulimet e kryera nga zyrtarët e numërimit, por dëshmia e lidhjes mes tyre dhe kandidatëve që kanë përfituar nga këto manipulime është më kompleks.
“Është e vështirë të vërtetohet lidhja direkte me kandidatët, megjithëse është e pamundur të besohet se këto veprime janë bërë pa koordinim apo përfitim financiar”, përfundoi Zeqiri.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 19 janar vendosi rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, pas parregullsive të konstatuara në votat e kandidatëve në vendimin për rinumërimin e 914 vendvotimeve më 13 janar.