Në skandalin e vjedhjes industriale të votave, gjatë këtyre zgjedhjeve të fundit, ka edhe një detaj të vogël që ia vlen ta përmendim. Tipi nga Prizreni, për llogari të të cilit janë vjedhur ato 6,000 e ca vota, është aktor me profesion, aktor joaktiv, që të jemi më precizë. Ka qenë për afro 10 vjet drejtor i Teatrit të Qytetit të Prizrenit...
Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme, për herë të dytë brenda vitit, si përpjekje finale për të dalë nga ngërçi politik e nga paraliza institucionale. Rezultatet e nxorën fituese “Vetëvendosjen” e Kurtit, e cila tani me lehtësi do të mund ta formojë qeverinë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pas mbylljes së qendrave të votimit atë natë, doli me rezultate preliminale në kohë rekorde. U përfol atyre ditëve, e u shkrua gjithandej, që gjatë votimit nuk u shënuan incidente, e nuk pati as ankesa serioze për shkelje e për parregullsi. Gjithçka dukej si një triumf i vërtetë i demokracisë dhe një dëshmi që shoqëria e politika kosovare janë pjekur e janë emancipuar, së paku për sa u përket organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve.
Megjithatë, ky entuziazëm u lëkund, pas afërisisht tri javësh nga koha kur u mbajtën zgjedhjet. Vëzhguesit dhe komisionerët në qendrat e votimeve zakonisht janë syçelë në numërimin e votave për partitë, por pastaj kur nis numërimi i votave për kandidatët brenda partisë, atëherë siç duket, me lehtësi bëhen vjedhje të votave, për llogari të këtij apo atij kandidati. Ky fenomen doli në pah katërcipërisht në këto zgjedhje. U mor vesh që dhjetra komisionerë kanë vjedhur vota masivisht për llogari të disa prej kandidatëve. Skandali përfshiu të gjitha partitë pjesmarrëse në zgjedhje, por masiviteti i vjedhjes ishte më prezent në Partinë Demokratike të Kosovës. Doli që një tipi nga kjo parti, në Prizren i ishin kredituar arbitrarisht mbi 6,000 vota. Ai dhe të gjithë të tjerët si ai, u arsyetuan se nuk kishin lidhje me këtë krim elektoral, dhe se, ata, pa vullnetin e tyre, thjesht ishin “qerasur” me ato vota nga komisionerët e zgjedhjeve. Arsyetim jobindës, megjithatë fjalën e fundit do ta thotë prokuroria e cila tashmë është aktivizuar.
Që votat “brenda llojit” janë vjedhur, kjo gjë ka qenë e ditur, ka qenë një “sekret publik”, por që tani u ekspozua. Kështu së paku u dëgjua shpesh të thuhej këtyre ditëve. Në vitet e pasluftës, metodat e vjedhjes së votave dhe manipulimet me rezultatet kanë qenë të llojllojshme dhe përmasat e vjedhjeve kanë qenë shumëfish më të mëdha. Listat e votuesve deri vonë kanë qenë të mbushura me njerëz të vdekur (qarkullonin pafund barsoleta për të vdekur që ngjalleshin ditën e votimit), kutitë e votimit ndërroheshin gjatë natës e zëvendësoheshin me kuti të mbushura me vota fiktive, regjistroheshin blerje masive të votave ose vota jepej në këmbim të një thesi me miell (ose ngjajshëm), numri i votave nëpër qendra të votimit shpesh dilte disafish më i madh se numri i votuesve, e kështu me radhë, e kështu me radhë.
Por, në këtë skandal të vjedhjes industriale të votave, gjatë këtyre zgjedhjeve të fundit, ka edhe një detaj të vogël që ia vlen ta përmendim. Tipi nga Prizreni, për llogari të të cilit janë vjedhur ato 6,000 e ca vota, është aktor me profesion, aktor joaktiv, që të jemi më preciz. Ka qenë për afro 10 vjet drejtor i Teatrit të Qytetit të Prizrenit, e këta pesë vjetët e fundit merr pagë, po në atë teatër, si aktor, pavarësisht që nuk angazhohet në asnjë shfaqje. Natyrisht, ai në atë pozitë ka ardhur si militant partiak, e si i tillë, edhe ka vazhduar të marrë pagë për krejt këto vite. Parazitë e keqpërdorues të këtillë ka plot dhe ata vështirë se u bien në sy mediave e publikut, deri ndoshta atëherë kur makutëria e tyre të bëhet lapidare (pra, kur shifrat e vjedhjes shkojnë në 6,000+). Por për nga përmasa e dëmit që i bëhet demokracisë e së ardhmes së këtij vendi, të dyjat, edhe vjedhja e votave edhe zhvatja e buxhetit publik (përmes një vendi fiktiv të punës), janë po aq veprime kriminale për të cilat duhet kërkuar llogari. Megjithatë, llogaridhënia është sport i rëndë, të cilin institucionet e Kosovës nuk e zotërojnë akoma siç duhet!
Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit
Botohet në shqip me leje të autorit