Prishtinë, 7 shkurt - Pas gati një viti, studentët mund të kthehen në fakultete për mbajtjen e ligjëratave. Një vendim i tillë, sipas ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, do të merret nëse situata me pandeminë vazhdon të jetë e qetë. Ai në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se për këtë çështje është duke u koordinuar me ministrin në detyrë të Arsimit, Ramë Likaj.
“Nëse e kemi këtë situatë relativisht të qetë pandemike, në koordinim me ministrin e Arsimit do të lejohen që studentët t’i zhvillojnë ligjëratat në fakultete sipas manualit për parandalimin dhe përhapjen e pandemisë COVID-19. Pjesa tjetër e organizimit dhe kufizimit u takon rektorateve dhe të përgatiten sipas hapësirave që mund të ofrojnë sipas manualit me objektet universitare”, thuhet në përgjigjen e Zemajt.
Semestri i dytë pritet të nisë pas një jave. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, ka thënë se cilido që të jetë vendimi i ri i Qeverisë, do të zbatohet.
“Do t’i respektojmë vendimet në fuqi, të cilat e specifikojnë edhe mënyrën e mbajtjes së mësimit. Në momentin që ka ndonjë vendim tjetër, reflektojmë edhe ne”, ka theksuar Sahiti.
Ndërkohë, studentët ka disa javë që kanë nisur një peticion për kthimin në fakultete me arsyetimin se ligjëratat online nuk po kanë efekt. Sipas nënkryetarit të Parlamentit Studentor, Fatlind Azizi, studentët presin që gjatë kësaj jave të marrin përgjigje pozitive nga Qeveria.
“Ne kemi informacione se vendimi i Qeverisë do të jetë për kthim në fakultete. Të gjithë studentët mezi janë duke e pritur rifillimin e mësimit fizikisht, sepse edhe cilësia e arsimit ka rënë shumë, por edhe interesimi, edhe nga studentët e edhe nga profesorët”, ka thënë Hyseni.
Që nga marsi i kaluar kur nisi pandemia, institucionet e arsimit të lartë, ligjëratat i kanë mbajtur online. Aktualisht vetëm puna praktike dhe provimet po mbahen në fakultete.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, në vitin 2019/2020 numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar është 73.604, prej tyre në universitetet publike 58.879 studentë ose 80.0%, ndërsa në kolegjet private 14.725 studentë ose 20.0%.