Arbëri

Zëdhënësi i VV-së - Ambasadës gjermane: Bazohuni në fakte, jo në lajme të rreme

Vetëvendosje

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i ka reaguar Ambasadës gjermane në Kosovës pas shqetësimit që ajo ka ngrehur ndaj “përpjekjeve për ta politizuar zbarkimin e sotëm të një ekipi të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit”. 

Manxhuka ka hedhur poshtë deklaratat e Ambasadës gjermane se imazhet e publikuara nga LVV-ja nga operacioni i FSK-së janë të manipuluara për të promovuar narrativë të rrejshme. Manxhuka ka thënë se ambasada është vënë në lajthitje mbi lajme të rreme. 

“Është shumë me rëndësi që në epokën e lajmeve të rreme reagimet të jenë të bazuara në fakte dhe të vërtetën dhe jo të shtresëzohen mbi lajme të rreme. Në të vërtetë vet lajmi për manipulimin e fotografisë nga ana e VV-së është fake neës çka duhet se ju ka vendosur në lajthitje edhe vet juve”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se operacioni ishte lehtësuar nga KFOR-i dhe aprovuar nga komandanti i KFOR-it dhe se ishte strikt humanitar.

“Humbja tragjike e jetës së një njeriu duhet të jetë një moment pikëllimi kolektiv, e jo një rast për të bërë pikë politike. Deklaratat e akterëve politikë që e paraqesin këtë mision si ‘operacioni i parë i FSK-së në veri të Kosovës’ keqinterpretojnë qëllimin dhe frymën e vendosjes së trupave. Po ashtu shqetësuese janë akuzat për imazhe të manipuluara -  konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për ta promovuar një narrativë të rrejshme. Veprime të tilla rrezikojnë ta minojnë besimin e publikut dhe ta shkëpusin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit", thuhej në reagimin e ambasadës.