Arbëri

Xhandarmëria franceze pagëzon një autoblindë të saj me emrin “Kosova”

Centaure

Një automjet ndërhyrës shumëqëllimor i xhandarmërisë franceze është pagëzuar me emrin Kosova, ka njoftuar Ministria e Brendshme e Francës. 

Të martën dymbëdhjetë automjete ndërhyrëse shumëfunskionale të xhandarmërisë franceze, Centaure, janë pagëzuar me emra. Komandanti i grupit të motorizuar të xhandarmërisë franceze (GBGM), gjenerali Christophe Daniel, tha se kjo ngjarje simbolike vjen dy javë para paradës ushtarake të 14 korrikut, gjatë të cilës do të nderohet Centaure. 

Në ceremoni në Versailles-Satory u pagëzuan 12 nga 90 automjete të blinduara shumëqëllimore në kuadër të programit Centaure. 

Emrat e autoblindave u zgjodhën në nder të figurave historike, operacioneve të ndjeshme dhe betejave që kanë shënuar historinë e Francës, thuhet nga Ministria. 

“Ndërsa vendosja e automjeteve shumëfunksionale të ndërhyrjes së xhandarmërisë tash ka përfunduar, dymbëdhjetë prej tyre do të marrin pjesë në paradën ushtarake më 14 korrik në Champs-Elysees. Është një mundësi për të nxjerrë në pah mjetet e blinduara të xhandarmërisë, duke pasur parasysh se parada e mëparshme e motorizuar e GBGM-së daton që nga 14 korriku i vitit 2000, pas kthimit nga një operacion në Kosovë”, thuhet nga Ministria. 

“Është një simbol i fuqishëm, një dëshmi e punës dhe angazhimit tonë”, ka thënë gjenerali Christophe Daniel.