Dëshmitari Paul Williams tha se nuk i kujtohet që të akuzuarin Kadri Veseli e ka takuar ndonjëherë në Rambuje.
Williams tha se e ka fjalën edhe gjatë punimeve të delegacioni e po ashtu edhe jashtë ambientit të tyre, konkretisht objektit ku janë mbajtur ato punime.
“Nuk më kujtohet ta kem takuar atë brenda apo jashtë kështjellës”, tha Williams, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Po ashtu, u tha se Mark Weller kishte thënë që në delegacionin kosovar ishin dy persona që cilësoheshin të pavarur dhe ata ishin Veton Surroi dhe Blerim Shala.
Delegacioni, sipas Mark Weller, udhëhiqej nga Hashim Thaçi, një 29-vjecar inteligjent. Sipas tij, emrin e luftës Thaçi e kishte “Gjarpri”, të cilin e kishte fituar në muajt e përparshëm të ballafaqimit ushtarak. Ai kishte thënë se Thaçi kishte efikasitet të lartë në konsolidimin e pikëpamjeve që më parë ishin të ndryshme brenda UÇK-së. Weller kishte thënë se Thaçi shikohej nga Qeveria e Beogradit me urrejtje të veçantë.
Prokuroria kërkoi që kjo deklaratë e Weller të pranohet në prova materiale, por pati kundërshtime nga mbrojtja, e cila tha se dëshmitari asnjë prej këtyre pretendimeve nuk tha që i dinte.
Prokurori tha se ky dokument është i rëndësishëm të pranohet në prova, për të vlerësuar besueshmërinë e dëshmitarit dhe akuzat kundër të akuzuarve. Sipas tyre, Weller ishte këshilltari tjetër ligjor ngjashëm sikurse Williams në delegacionin kosovare dhe se njohuria e tij është relevante për provat e Prokurorisë.
Por, kërkesa e Prokurorisë u rrëzua pas kundërshtimit nga mbrojtja.
Williams thotë që s’ka dijeni se Thaçi akuzoi Bukoshin për financim të vrasjeve të komandantëve të UÇK-së
Dëshmitari Paul Williams ka mohuar se përpara se të shkojë në Rambuje e ka ditur nëse Hashim Thaçi e kishte akuzuar Bujar Bukoshin publikisht për financimin e vrasjeve dhe tentativës për vrasje të komandantëve të UÇK-së.
Po ashtu, ai mohoi se ka dijeni që Thaçi e ka akuzuar Bukoshin që kishte plane për të likuiduar anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Po ashtu, Williams mohoi se ka dijeni për ndonjë tension apo problem ndërmjet Bujar Bukoshit dhe anëtarëve të UÇK-së. Tha se njihej me Bujar Bukoshin përpara shkuarjes së tij në Rambuje.
Dëshmitari ripërsëriti se tashmë të akuzuarin Thaçi e kishte takuar në Rambuje dhe se nuk kishte dijeni për procedurën e vendosjes së tij në krye të delegacionit kosovar.
Paul Williams mohon se i ka takuar ndonjërin nga të katër të akuzuarit para shkurtit të 1999-ës
Paul Williams duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit James Pace mohoi t’i ketë takuar ndonjërin nga katër të akuzuarit (Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin) përpara shkurtit të 1999-ës.
Dëshmitari mohoi se përpara Rambujesë ka pasur dijeni se Thaçi mund të ketë qenë njëri prej anëtarëve themelues të UÇK-së, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, anëtar i Drejtorisë Politike ose drejtor i saj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari tha se përpara Rambujesë nuk kishte dijeni për strukturën dhe organizimin e UÇK-së. Po ashtu, ai mohoi të ketë marrë pjesë përpara kësaj periudhe në ndonjë takim apo mbledhje në të cilën përfshiheshin edhe anëtarët e UÇK-së.
Veç kësaj, dëshmitari theksoi se përpara shkurtit 1999 nuk ka kontaktuar asnjëherë dhe nuk e ka takuar asnjë komandant zone të UÇK-së.
Po ashtu, Williams pohoi se përpara shkurtit të 1999-ës nuk i dinte as emrat e komandantëve të UÇK-së.
Përpara Rambujesë, ai tha se nuk ka marrë pjesë asnjë mbledhje ku diskutoheshin emrat se kush do të ishte pjesë e delegacionit të Rambujesë./BetimipërDrejtësi
