Eksperti amerikan, Paul Williams ka nisur dëshminë në Gjykatën Speciale në rastin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – të cilët akuzohen për krime të pretenduara të luftës.

Williams ka qenë i angazhuar si këshilltar ligjor i delegacionit kosovar në proceset e Rambujesë për statusin përfundimtar të Kosovës. Për këtë, është dekoruar vitin e kaluar nga presidentja Vjosa Osmani me medalje presidenciale të meritave.

Ai ka dëshmuar para Komiteteve të Kongresit të SHBA-së lidhur me drejtësinë dhe llogaridhënien për viktimat e konfliktit në Kosovë, përfshirë për dhunën seksuale gjatë luftës.

Gjithashtu, ka bërë analiza dhe opinione për strategjitë e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, dialogun me Serbinë, si dhe për çështje ligjore që lidhen me komunat me shumicë serbe.

Williams është dëshmitari i dytë i mbrojtjes. Para tij, dëshmoi ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.

Williams për Veselin: S’më kujtohet që e kam takuar në Rambuje

7 o. më parë / 17 sht 2025 16:13
Paul Williams

Dëshmitari Paul Williams tha se nuk i kujtohet që të akuzuarin Kadri Veseli e ka takuar ndonjëherë në Rambuje.

Williams tha se e ka fjalën edhe gjatë punimeve të delegacioni e po ashtu edhe jashtë ambientit të tyre, konkretisht objektit ku janë mbajtur ato punime.

“Nuk më kujtohet ta kem takuar atë brenda apo jashtë kështjellës”, tha Williams, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Po ashtu, u tha se Mark Weller kishte thënë që në delegacionin kosovar ishin dy persona që cilësoheshin të pavarur dhe ata ishin Veton Surroi dhe Blerim Shala.

Delegacioni, sipas Mark Weller, udhëhiqej nga Hashim Thaçi, një 29-vjecar inteligjent. Sipas tij, emrin e luftës Thaçi e kishte “Gjarpri”, të cilin e kishte fituar në muajt e përparshëm të ballafaqimit ushtarak. Ai kishte thënë se Thaçi kishte efikasitet të lartë në konsolidimin e pikëpamjeve që më parë ishin të ndryshme brenda UÇK-së. Weller kishte thënë se Thaçi shikohej nga Qeveria e Beogradit me urrejtje të veçantë.

Prokuroria kërkoi që kjo deklaratë e Weller të pranohet në prova materiale, por pati kundërshtime nga mbrojtja, e cila tha se dëshmitari asnjë prej këtyre pretendimeve nuk tha që i dinte.

Prokurori tha se ky dokument është i rëndësishëm të pranohet në prova, për të vlerësuar besueshmërinë e dëshmitarit dhe akuzat kundër të akuzuarve. Sipas tyre, Weller ishte këshilltari tjetër ligjor ngjashëm sikurse Williams në delegacionin kosovare dhe se njohuria e tij është relevante për provat e Prokurorisë.

Por, kërkesa e Prokurorisë u rrëzua pas kundërshtimit nga mbrojtja.


Williams thotë që s’ka dijeni se Thaçi akuzoi Bukoshin për financim të vrasjeve të komandantëve të UÇK-së

Dëshmitari Paul Williams ka mohuar se përpara se të shkojë në Rambuje e ka ditur nëse Hashim Thaçi e kishte akuzuar Bujar Bukoshin publikisht për financimin e vrasjeve dhe tentativës për vrasje të komandantëve të UÇK-së.

Po ashtu, ai mohoi se ka dijeni që Thaçi e ka akuzuar Bukoshin që kishte plane për të likuiduar anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Po ashtu, Williams mohoi se ka dijeni për ndonjë tension apo problem ndërmjet Bujar Bukoshit dhe anëtarëve të UÇK-së. Tha se njihej me Bujar Bukoshin përpara shkuarjes së tij në Rambuje.

Dëshmitari ripërsëriti se tashmë të akuzuarin Thaçi e kishte takuar në Rambuje dhe se nuk kishte dijeni për procedurën e vendosjes së tij në krye të delegacionit kosovar.


Paul Williams mohon se i ka takuar ndonjërin nga të katër të akuzuarit para shkurtit të 1999-ës

Paul Williams duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit James Pace mohoi t’i ketë takuar ndonjërin nga katër të akuzuarit (Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin) përpara shkurtit të 1999-ës.

Dëshmitari mohoi se përpara Rambujesë ka pasur dijeni se Thaçi mund të ketë qenë njëri prej anëtarëve themelues të UÇK-së, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, anëtar i Drejtorisë Politike ose drejtor i saj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari tha se përpara Rambujesë nuk kishte dijeni për strukturën dhe organizimin e UÇK-së. Po ashtu, ai mohoi të ketë marrë pjesë përpara kësaj periudhe në ndonjë takim apo mbledhje në të cilën përfshiheshin edhe anëtarët e UÇK-së.

Veç kësaj, dëshmitari theksoi se përpara shkurtit 1999 nuk ka kontaktuar asnjëherë dhe nuk e ka takuar asnjë komandant zone të UÇK-së.

Po ashtu, Williams pohoi se përpara shkurtit të 1999-ës nuk i dinte as emrat e komandantëve të UÇK-së.

Përpara Rambujesë, ai tha se nuk ka marrë pjesë asnjë mbledhje ku diskutoheshin emrat se kush do të ishte pjesë e delegacionit të Rambujesë./BetimipërDrejtësi
 

Williams pohon se Jakup Krasniqi pati rol pozitiv lidhur me rolin e pakicave rome dhe serbe në Kosovë

7 o. më parë / 17 sht 2025 15:42
jakup krasniqi

Paul Williams i cili mbështeti juridikisht pa pagesë delegacionin kosovar në Rambuje, pohoi se gjatë procesit të Vjenës dhe hartimit të Kushtetutës, Jakup Krasniqi ka pasur rol pozitiv lidhur me rolin e pakicave në Kosovë duke përfshirë atë serbe dhe rome.

Këtë deklarim, dëshmitari e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Jakup Krasniqit, Aiden Ellis pas mbarimit të pyetjeve nga mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjatë kohës së konferencës së Rambujesë, dëshmitari pohoi se delegacioni kosovar u nda në grupe të ndryshme pune. Tha se punë e tij ishte të ndërlidhte punën e këtyre grupeve.

Blerim Shala, Jakup Krasniqi dhe Fehmi Agani, sipas dëshmitarit, kanë qenë me një grup punues. Për të fundit, thotë se ishte pjesë e delegacionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Williams pohoi se e ka ndihmuar delegacionin e Kosovës edhe për Konferencën në Vjenë, e po ashtu edhe për hartimin e Kushtetutës. Gjatë këtyre proceseve, dëshmitari pohoi se e ka takuar Jakup Krasniqin.

Dëshmitari u përgjigj “Me sa më kujtohet, po”, kur u pyet nëse këto gjëra kishin ndodhur gjatë viteve 2006-2007.

Edhe në këto procese, sipas Williams, Krasniqi ka luajtur një rol bashkëpunues sikurse edhe në Rambuje. Pohoi se e ka takuar atë në Rambuje dhe ka qenë atje gjatë kohës së negociatave.

Me kaq përfunduan pyetjet e Aiden Ellis për dëshmitarin, për të vazhduar më pas me Prokurorinë të përfaqësuar nga prokurori James Pace.

Pace planifikohet që ta marrë në pyetje këtë dëshmitar rreth dy orë e gjysmë.

Për dëshmitarin nuk patën pyetje mbrojtja e Rexhep Selimit dhe ajo e Kadri Veselit.

Williams: Thaçi kishte trysni nga komandantët lokalë, problemi i Demaçit ishte pavarësia

9 o. më parë / 17 sht 2025 14:03
Paul Williams

Paul Williams tregoi në Hagë se për procesin në Rambuje, Hashim Thaçi kishte trysni nga komandantët  e zonave dhe përveç kësaj, Adem Demaçi bënte presion ideologjik.

Sipas dëshmitarit, problemi i Demaçi ishte pavarësia dhe prandaj shkoi Thaçi për të biseduar me atë në Slloveni, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas shqiptarëve që ishin në Rambuje, dëshmitari thotë se Thaçi në Slloveni kishte shkuar për të folur me Demaçin. Thotë se kishte pyetur se çka i shërben kjo procesit që po zhvillohej.

“Përgjigja ishte që ishte e domosdoshme për arsye politike dhe kulturore. Ishte e nevojshme që Hashimi të shkonte në Slloveni dhe të vizitonte Demaçin”, tha dëshmitari.

Ai u pyet se çfarë lidhje kishte kjo vizitë me Rambujenë dhe ato se çfarë po ndodhnin atje.

“Gjatë kohës që delegacioni kosovar ishte në Rambuje dhe po kishte progres, kishte trysni nga jashtë nga komandantët lokalë, por gjithashtu kishte presion ideologjik por edhe kulturor prej Adem Demaçit, i cili po pengonte progresin e këtyre negociatave dhe po cenonte lëvizjen për realizimin e kësaj marrëveshje. Prandaj, duhej trajtuar ky aspekt”, tha dëshmitari, duke shtuar se problemi i Adem Demaçi, ishte pavarësia.

Williams: Thaçi iu raportonte komandantëve të zonave

9 o. më parë / 17 sht 2025 14:02
William

Dëshmitari Paul Williams i cili i mbështeti juridikisht pa pagesë delegacionin kosovar në Rambuje, thotë se Hashim Thaçi iu raportonte komandanteve të zonave gjatë asaj kohe.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua deklarata e James Rubin, i cili kishte thënë se Thaçit i duhej të merrte konfirmimin nga komandantët e zonave për çdo zhvillim në Rambuje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pas kësaj, dëshmitari u pyet se a i kujtohej se e  ka vënë re që Thaçi iu raportonte komandantëve të zonave. Një gjë të tillë, e pohoi Williams.

“Po, kështu më kujtohet edhe mua”, tha ish-këshilltari ligjor i delegacionit kosovar në Rambuje, Paul Williams.

Në këtë konkluzion, dëshmitari thotë se arriti për shkak se Thaçi bisedonte me atë në telefon dhe pas mbylljes së telefonatës, Thaçi tregonte për përshtypjet e tyre për procesin.

“Prandaj thash që ai iu raportonte atyre. Prandaj, dola në këtë përfundim”, tha dëshmitari.

Meqë nuk dinte shqip, dëshmitari thotë se pyeste se më kë po fliste Thaçi, e që shqiptarët që ishin aty i thoshin që po fliste me ekipin e tij, shqiptarët dhe me komandantët lokalë.

Këtë gjë, dëshmitari tha se ia kanë thënë Blerim Shala, Dukagjin Gorani dhe Edita Tahiri, me të cilët punonin bashkë në dokumente.

Po ashtu, Williams tha se një herë i kujtohet që Thaçi kishte pranuar një telefonatë, por që nuk e di nga kush. Tha se pas kësaj telefonate, Thaçi ishte i shqetësuar.

Ndërkaq, i pyetur nëse Thaçi e kërcënoi dikë në takim, Williams tha se nuk ia tha askush këtë gjë.

Williams: Thaçit i binte telefoni vazhdimisht, mendoj që ai përfaqësonte interesat nga jashtë

9 o. më parë / 17 sht 2025 13:39
Paul Williams

Dëshmitari Paul Williams tha se e ka marrë përshtypjen nga faktorë të shumtë se Thaçi nuk kishte kontroll mbi qëndrimin e tij si kryesues i delegacionit në Rambuje. Williams tha se persona jashtë kështjellës së Rambujesë (v.j vendit ku zhvilloheshin negociatat) ia përcaktonin atij qëndrimet.

“Pra nga njëra anë kishim telefonatat që bënte z. Thaçi, këshilltarët e jashtëm apo palët e treta, për shembull një person shqiptaro-amerikan (v.j Dino Hasani sipas dëshmitarit) apo pjesëtarë të tjerë të UÇK-së që kishin ide shumë të qarta dhe mund ta lexoje pak edhe nga qëndrimi ose paraqitja. Pra ndonjëherë ke një koklavitje apo përzierje të aktorëve, shumë palë të tjera të cilat mua më kanë bërë që të arrij në këtë përfundim. Pra, krijohej përshtypja që dikush i kishte negociatat nën kontroll apo  i kishte pjesërisht nën kontroll ato ose nëse ishit në një pozitë as kështu e as ashtu dmth diku në mes. Mua nuk më është krijuar përshtypja që ai kishte kontroll të plotë mbi negociatat, por mendoj që ai përfaqësonte interesat nga jashtë dhe mendoj që këto interesta nga jashtë kishin ndikimin e tyre mbi autoritetin ose kontrollin mbi sjelljen e tij gjatë negociatave”, tha Williams. 

Sipas ish-këshilltarit të delegacionit të Kosovës, Thaçi u përgjigjej telefonatave vazhdimisht. Këshilltari ligjor tha se konsultohej edhe me të tjerë përfshirë një shqiptaro-amerikan me emrin Dino Hasani.

“Bazë për këtë përfundim janë disa faktorë. Bisedat e shumta përmes thirrjeve telefonike që realizonte Hashim Thaçi me persona nga jashtë kështjellës. Telefoni i tij binte vazhdimisht, që shpesh nënkuptonte që atij i duhej të dilte jashtë ose të shkonte në një cep të dhomës. Delegacioni i Kosovës ishte në katin përdhese, kështuqë mund të dilnin lehtësisht në oborrin e kështjellës. Përfshirja ime në fshatin e Rambujesë, pra jashtë kështjellës, kur ka ndodhur negociatat ku unë takohesha rregullisht me një shqiptaro-amerikan që kishte marrëdhënie të ngushtë me UÇK-në dhe me individë apo persona të tjerë që më janë identifikuar si pjesëtarë të UÇK-së, ku ne diskutonim dispozita të ndryshme nga këndvështrimi i juristit, pra këndvështrimi im sa i takon tekstit të marrëveshjes”, tha dëshmitari.

Williams: Delegacioni kosovar e donte fuqizimin e Tribunalit Penal kundër ish-Jugosllavisë

9 o. më parë / 17 sht 2025 13:30
Paul Williams

Paul Williams deklaroi në Hagë se delegacioni kosovar ishte i fokusuar në fuqizimin e Tribunalit Penal kundër ish-Jugosllavisë. Sipas tij, TPNJ-ja ishte mekanizëm i drejtësisë që delegacioni kosovar dëshironte që ta kishte në Kosovë.

“Delegacioni i shqiptarëve të Kosovës ishte i përqendruar kryesisht te juridiksioni, qasja dhe fuqizimi i Tribunalit kundër Jugosllavisë. Pra, me fjalë të tjera ata ishin të përqendruar te ky instrument. Si mekanizëm të drejtësisë dëshironin që të kishin vetëm TPNJ-në dhe kjo ishte një pikë e rëndësishme”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Williams u pyet se a kishte ndonjë pikë sa i takon marrëveshjes së Rambujesë që iu kërkonte palëve që të kryenin hetime sa i përket shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

“Jo nuk më kujtohet asnjë dispozitë në marrëveshjen e Rambujesë dhe nuk më kujtohet asnjë dispozitë e tillë në atë dokument”, tha dëshmitari.

Ai gjithashtu u pyet se a ka dëgjuar nga delegacioni kosovar se UÇK-ja duhej të bënte hetimet e veta dhe duhej të jepte ndëshkimet e veta sa i përket krimeve të kryera nga anëtarët e saj.

Por, Williams mohoi se ka bërë biseda të ngjashme me ndonjërin prej anëtarëve të delegacionit shqiptar, amerikan ose Grupin e Kontaktit.

Si pasojë e kësaj, Williams tha se delegacioni kosovar ishte i përqendruar te TPNJ-ja dhe e dëshironin këtë instrument si mekanizëm të drejtësisë.

Delegacioni kosovar në Rambuje kishte propozuar ndjekjen penale të krimeve të luftës, sipas Williamsit

9 o. më parë / 17 sht 2025 13:28
Paul Williams

Dëshmitari Paul Williams, tregoi në Hagë se delegacioni kosovar në Rambuje kishte bërë propozime për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një dokument që sipas mbrojtjes thuhej se e kishte titullin “Dispozitat e krimeve të luftës të propozuara nga delegacioni i Kosovës”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Mbrojtja tha se ky dokument tregonte për propozimet e delegacionit kosovar lidhur me hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Ky propozim, sipas Williams, ishte përpiluar nga vetë ai dhe Mark Weller që ishte këshilltar ligjor ndërkombëtar që ka punuar në të njëjtën cilësi si vetë ai.

Sipas propozimit, palët pajtohen që të transferojnë përgjegjësitë e tyre tek TPNJ-ja në pajtim me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit.

Në përputhje me rezolutat sipas propozimit, palët janë pajtuar që të arrestojnë, të ndalojnë dhe të transferojnë në paraburgim në TPNJ.

Këto propozime, sipas dëshmitarit, i ishin dorëzuar Grupit të Kontaktit në Rambuje. U tha se këto propozime u bënë në dijeni të plotë me anëtarët e delegacionit.

Verifikimi i këtyre propozimeve, sipas dëshmitarit, u bë edhe nga Fehmi Agani, i cili ishte juristi kryesor i delegacionit kosovar.

Aprovimi i propozimeve, Williamson tha se bëhej nga tre bashkëkryesuesit e delegacionit, dy prej të cilëve ishin Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi.

Williams: Thaçi e dinte që UÇK-ja mund të hetohej nga Tribunali Penal për Ish-Jugosllavinë

9 o. më parë / 17 sht 2025 13:25
Paul Williams

Dëshmitari Paul Williams duke folur para Gjykatës Speciale për mbështetjen që delegacioni kosovar i ka dhënë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) gjatë bisedimeve në Rambuje, pohoi se Hashim Thaçi e dinte që kjo mund të përfshijë edhe hetime potenciale ndaj anëtarëve të UÇK-së.

Lidhur me angazhimin që TPNJ-ja të ketë mundësinë që të ketë kompetenca të mjaftueshme që të zbatojë mandatin e saj, Williams tha se edhe Thaçi ishte i këtij mendimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ai tha se kjo pasqyron këtë që na intereson edhe neve”, deklaroi Williams për Thaçin.

Dëshmitari pohoi se ishte i vetëdijshëm se bashkëpunimi me TPNJ-në përfshinte edhe hetime potenciale lidhur me UÇK-në.

“Delegacioni i Kosovës që përfaqësonin UÇK-në duke përfshirë edhe Hashim Thaçin kishin mundësinë që të shihnin se si TPNJ-ja vepronte në kontekstin e Kroacisë dhe Bosnjës dhe se Tribunali kishte ngritur aktakuzë ndërmjet këtyre palëve”, tha ai.

Ai tha se dihej që Tribunali Ndërkombëtar do të kërkonte prova në drejtime të ndryshme.

“Situata ishte faktike se Tribunali Ndërkombëtar do të kërkonte prova në drejtime të ndryshme që do të përfshinte edhe aktorë të armatosur joshtetëror”, tha ai.

Në draftin e marrëveshjes, dëshmitari tha se shkruhej se prokurorja do të kishte qasje edhe në territorin e Kosovës përveçse në Serbi.

Williams: Në Rambuje përgatita gjuhën që siguronte kompetencat e plota të Tribunalit për ish-Jugosllavinë

9 o. më parë / 17 sht 2025 13:24
Paul Williams

Dëshmitari Paul Williams kishte thënë se në mes qëllimeve që delegacioni kosovar kishte në Rambuje, ishte për t’u siguruar për të marrë angazhim konkret për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Williams tha se ka punuar në mënyrë intensive me anëtarët e delegacionit gjatë bisedimeve në Rambuje, si dhe me anëtarë të diasporës kosovare gjatë përgatitjeve të këtyre bisedimeve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sa i takon Rambujesë, më është kërkuar që të përpiloj-përgatisë gjuhën e cila të ishte sa më gjithëpërfshirëse për t’u siguruar që Tribunali Penal për ish-Jugosllavinë të ishte në gjendje që të kishte të gjitha kompetencat e veta për të zbatuar mandatin e tij”, tha dëshmitari.

Ai tha se e ftuan që të japë një prezantim në Rambuje për delegacionin kosovar dhe një ndër pikat ishte çështja e TPNJ-së.

“Gjatë ditës së parë ose të dytë kur isha në godinë aty më ftuan që të japë një prezantim delegacionit të Kosovës për katër pika: dhe pika e katër ishte juridiskioni, aktivitetet, hetimet e aktakuzat e TPNJ-së”, tha Williams.

Juristi i së drejtës ndërkombëtare po ashtu tha se delegacioni kosovar iu kërkoi hollësi lidhur me këtë çështje dhe për tema të tjera. Përshtatja e gjuhës në dokumente, sipas tij, iu kërkua nga Fehmi Agani.

Dëshmitari tha se ishte i thirrur që në këtë gjuhën gjihëpërfshirëse ta përfshinte qasjen e mjaftueshme të TPNJ-së për të ushtruar mandantin e saj edhe brenda Kosovës.

“Juridiksioni dhe aftësia e TPNJ-së që të vepronte në mënyrë efektive ishte e rëndësishme për disa arsye; konteksti konkret specifik përpara bisedimeve ishte Masakra e Reçakut dhe prokurorja përpiqej të kishte qasje në Kosovë se nuk kishte vizë. Asaj iu mohua viza. Më kujtohet se ka qenë Masakra e Reçakut dhe ambasadori William Walker që përdori fjalën ‘krime kundër njerezimit’. Prokurorja do të hetonte atje por i thanë që nuk ke vizë”, u shpreh Williams.

Williams tha që arsyet e tjera që lidhen me mbështetjen e plotë të TPNJ-së, ishte edhe të ruhej një barazi morale.